Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi në një konferencë për median lidhur me dosjen e tunelit të Llogarasë thotë se kriteret janë përshtatur që të fitojë kompania e paracaktuar nga Edi Rama e Belinda Balluku.
Duke iu referuar dosjes zbulohet se e gjithë skema korruptive është bërë me telefon por dhe nga shtëpia e kësaj të fundit.
Të dashur qytetarë, në dosjen e prokurorisë, të cilën unë dua ta përshëndes për guximin dhe integritetin që ka treguar në hetimin e vetëm këtij segmenti nga procedimi penal ndaj zëvendës zëvendëskryeministres Belinda Balluku, rezulton e qartë se tenderi për tunelin e Llogarasë ishte i paracaktuar.
Ka qenë Belinda Balluku, sipas komunikimeve zyrtare të përfshira në dosjen e prokurorisë, që ka urdhëruar anulimin e paligjshëm të tenderit, vetëm se ishte 50 milionë euro më pak sesa llogaritë korruptive që kishte bërë Belinda Balluku.
Është Belinda Balluku, sipas dosjes së prokurorisë, që ka komunikuar me kompaninë turke disa ditë përpara tenderit, duke e bërë fakt të kryer fitimin e tenderit nga kompania turke, madje duke shkuar deri aty sa në bashkimin e operatorëve kanë futur edhe një kompani që sipas mesazhit të drejtuar nga administratori i kompanisë parë ministres Balluku, po e citoj, njihet, vlerësohet dhe është dhe një referencë për presidentin e Turqisë.
Kriteret janë përshtatur që të fitojë kompania e paracaktuar nga Edi Rama dhe Belinda Balluku dhe kjo është arsyeja pse sot Edi Rama nuk guxon ta shkarkojë Belinda Ballukun. Çdo parregullsi dhe shkelje e ligjit për të realizuar skemën korruptive është dirixhuar përmes urdhrave të Belinda Ballukut, e cila e drejton shtetin me një paaftësi mbresëlënëse përmes telefonit, mesazheve, lidhjeve personale, madje dhe vizitave të vartësve të saj në banesën e ministres, ku bëjnë llogaritë se si do të ndajnë milionat e eurove në skemën korruptive të ndërtimit të tunelit të Llogarasë. Dosja provon shkeljen e hapur të ligjit për prokurimet publike, abuzim tronditës me detyrën, demonstrim të arrogancës së pushtetit dhe një paligjshmëri të frikshme.
Dua të sqaroj qytetarët se sipas prokurorisë, jo vetëm kompania është paracaktuar nga zonja Balluku për të fituar këtë tender, por sipas analizës së bërë nga prokuroria, kompania turke nuk plotësonte një sërë kushtesh që vetë autoritetet shqiptare kishin shpallur për tenderin në fjalë. Konkretisht, sipas prokurorisë, kompania apo bashkimi i operatorëve të kompanive turke nuk plotësonte disa nga kriteret teknike dhe financiare që vetë dokumentat e tenderit kishin përcaktuar si kritere për fituesin e kësaj gare.Në konkluzion të të gjithë analizës, prokuroria ka arritur në konkluzionin se nga aktet e administruara rezulton se operatori ekonomik, bashkimi i operatorëve ekonomikë të dy kompanive turke, është shpallur fitues në kundërshtim me kriteret e përcaktuara nga ligji dhe kjo ka ndodhur në sajë të veprimeve të drejtpërdrejta, të kundraligjshme të shtetasës Belinda Balluku në cilësinë e ministrit të infrastrukturës dhe energjisë, në bashkëpunim me anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, shtetasit Evis Berberi, Gentjan Gjyli, Rald Lezi, Jedmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica. Veprime këto në kundërshtim me ligjin 162/2020 për prokurimet publike dhe me vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullimin e rregullave të prokurimit publik.
Edi Rama që gjithë ditën flet për Europën dhe natën mbron korrupsionin me heshtjen dhe mosveprimin e tij. Është kthyer në një zëdhënës dhe avokat të korrupsionit të Belinda Ballukut. As nuk e shkarkon nga zëvendëskryeministre, as nuk ka folur një fjalë dhe nuk është distancuar nga provat e prokurorisë që tregojnë paracaktimin e garës.
© SYRI.net