Deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen në paraditen e sotme ora 10:00 në tentim për të formuar Qeverinë e re. Pavarësisht se zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt, Kosova ende nuk i ka formuar institucionet e reja dhe është me Qeveri në detyrë.
Partitë politike nuk kanë arritur kompromis për një mori procesesh ndërkohë kriza institucionale rrezikon t’i kushtojë Kosovës miliona euro, ndërsa faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme që të krijohen institucionet për të ruajtur stabilitetin shtetëror
Sytë tek Kurti
Kurti eshtë mandatari i parë për kryeministër që del të “matet” në seancë, pa e siguruar paraprakisht shumicën. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh lider i Lëvizjes Vetëvendosje, është mandatuar për formim të Qeverisë së re nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 11 tetor, një ditë pas konstitiuimit të Kuvendit.
Partia e Kurtit ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, por jo mjaftueshëm për të qeverisur vetë. Pavarësisht se anëtarë të partisë së tij kanë përmendur se janë zhvilluar negociata me disa parti politike, në publik nuk është bërë e ditur nëse është arritur ndonjë koalicion.
Lëvizjes Vetëvendosje i duhen së paku edhe pesë vota që të sigurojë minimumin e nevojshëm prej 61 për votimin e suksesshëm të Qeverisë së re. Në zgjedhjet e 9 shkurtit, kjo parti ka siguruar 48 ulëse në Kuvend. Përkrahje ka edhe prej shtatë deputetëve të komuniteteve pakicë joserbe, si dhe të Nenad Rashiqit.
Vetëvendosje e ka përjashtuar mundësinë e bisedimeve me subjektin e dytë për kah fuqia e votës, Partinë Demokratike (PDK), dhe kanë lënë derën hapur për bashkëpunim me Lidhjen Demokratike (LDK) dhe me Nismën Socialdemokrate. Por, në LDK e kanë refuzuar çdo lloj bashkëpunimi. E këtë e ka konfirmuar sërish të shtunën deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami.
Por çfarë ndodh nëse Kurti nuk i siguron votat e nevojshme?
Për ta zgjedhur Qeverinë e re, një mandatari i duhen të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 ulëse. Kushtetuta e Kosovës përcakton që nëse përbërja e propozuar e Qeverisë së re nuk e merr shumicën e nevojshme të deputetëve, presidenti i Kosovës duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër brenda dhjetë ditësh, i cili i ka gjasat më të mira për të formuar Qeverinë.
I mandatuari i ri për kryeministër sërish do t’i kishte 15 ditë për t'i propozuar Kuvendit përbërjen e Qeverisë dhe programin e punës.
Bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga viti 2020, mandatari i dytë për kryeministër mund të jetë edhe nga partia e dytë më e madhe - në këtë rast Partia Demokratike e Kosovës.
Presidenti shpall zgjedhje të reja nëse Qeveria nuk zgjidhet për herë të dytë, dhe ato duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e thirrjes.
Deri atëherë, Qeveria në detyrë do t’i kryente detyrat e saj.
© SYRI.net