Lajmi i fundit

Kryeministri i Britanisë, Keir Starmer jep dorëheqjen

VIDEO/ Raporti i OSBE-ODIHR, Kaso: Opozita duhet të ushtrojë presion që rekomandimet të kthehen në ligj

19:51, 24/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, ka analizuar raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 11 majit, të cilat ai i cilësoi si ‘farsë zgjedhore’. Gjatë një interviste në emisionin ‘Ora 19’ në SYRI TV me moderatoren Armela Ferko, Kaso theksoi se opozita duhet të ushtrojë presion që gjetjet e raportit të kthehen në parashikime ligjore dhe masa konkrete.

‘Dy ditë para zgjedhjeve, Rama vendosi të falë gjobat, ose të shkelë Kodin Zgjedhor hapur dhe të dërgojë bonusin e pensioneve, pensionistëve në shtëpi. Janë shkelje të cilat i kanë vërejtur drejt për së drejti dhe kanë qenë kaq në kundërshtim me ligjin, saqë ka pasur fare pak vend për diskutime, t’i përfshijnë apo jo në raport,’ deklaroi Kaso.

Deputeti demokrat theksoi gjithashtu se raporti ndërkombëtar ka evidentuar edhe ndikimin e krimit të organizuar në procesin zgjedhor.

‘Prezenca e krimit të organizuar në qendrat e votimit, që kërcënonte deputetët e opozitës. Ose të banditëve të tjerë, veçanërisht në Fier, Elbasan, Shkodër, të cilët bëheshin gardh para qendrës së votimit dhe vendosnin ata se kush hynte apo jo, janë konstatime që i kanë parë vetë me sytë e tyre. Është për t’u përgëzuar integriteti i tyre, sepse gjithçka që kanë parë, fotografinë reale të situatës e kanë paraqitur në raport,’ u shpreh deputeti i PD në SYRI TV.

Kaso theksoi se pas publikimit të raportit, opozita ka dy detyra të qarta: të analizojë në thellësi gjetjet e tij dhe t’i shndërrojë ato në propozime konkrete për reformimin e sistemit zgjedhor.

‘Ne na lind detyra nga njëra anë që t’i zbërthejmë të gjitha gjetjet dhe t’i kthejmë në propozime se si mundet që zgjedhjet në Shqipëri të kthehen në standarde të pranuara nga komuniteti ndërkombëtar, që shqiptarët të kenë më në fund mundësinë që të zgjedhin. Dhe nga ana tjetër, të krijojmë atë presionin pozitiv ndaj mazhorancës, në mënyrë që të ulet, t’i implementojë dhe t’i kthejë ato në parashikime ligjore, në detyra për agjencitë dhe organet ligjzbatuese,’ tha Kaso.

Në përfundim, deputeti i PD-së u shpreh se opozita nuk mund të presë vetëpërmirësim nga mazhoranca aktuale.

‘Nëse ne presim që mazhoranca të ndërgjegjësohet se nuk duhet të vjedhë vota, se nuk duhet të përdorë makinerinë e pushtetit që ka për të mos manipuluar zgjedhjet, atëherë kjo është iluzion për të gjithë shqiptarët,’ tha ndër të tjera në SYRI TV, deputeti i PD-së, Ivi Kaso.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco