Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka deklaruar sot në Kuvend se hetimet për aferën 19 milionë euro të ‘Eco Park’ në Durrës janë drejt përfundimit.
Por pyetja që mbetet pezull është nëse do të hetohet edhe kryeministri Edi Rama, pas akuzave për konflikt interesi që lidhen me studion e Rea Ramës.
Gjatë raportimit të tij vjetor në Komisionin e Ligjeve, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, u ndal edhe te hetimet për projektin ‘Eco Park’, një nga çështjet më të përfolura të viteve të fundit, për shkak të përfshirjes së kompanive të afërta me qeverinë.
‘Procedimi penal për ‘Eco Parkun’ është në fazën e hetimit paraprak. Nga informacioni që kam, hetimet janë drejt përfundimit. Sa për ta saktësuar, procedimi është regjistruar kryesisht nga SPAK, para se ju të bëni kallëzimin. Pastaj ju keni bërë kallëzimin dhe ky kallëzim është trajtuar në kuadër të procedimit penal që është regjistruar më parë nga SPAK,’ u shpreh Dumani.
Kjo deklaratë u bë në përgjigje të pyetjeve të deputetëve të opozitës, të cilët kërkuan sqarime për ecurinë e hetimeve ndaj një projekti që, sipas tyre, ka përfituar padrejtësisht miliona euro nga buxheti i shtetit.
Opozita ka akuzuar prej kohësh se tenderi i ‘Eco Park Durrës’, me vlerë rreth 19 milionë euro, përfundoi në duart e studios arkitektonike të Rea Ramës, vajzës së bashkëshortes së kryeministrit Edi Rama.
Sipas denoncimeve publike, kjo përbën konflikt të qartë interesi dhe kërkon hetim të plotë për përfshirjen e kryeministrit dhe të afërmve të tij.
Megjithatë, në raportimin e tij, Dumani nuk dha detaje nëse Edi Rama është marrë në pyetje apo është përfshirë në ndonjë verifikim të hetimit. Kjo ka ngritur dyshime nëse SPAK do të guxojë të shkojë deri në fund të zinxhirit të përgjegjësisë.
Opozita ka paralajmëruar se do të kërkojë transparencë të plotë për personat e hetuar dhe për çdo lidhje politike që mund të qëndrojë pas këtij projekti.
Projekti ‘Eco Park Durrës’ synonte që të transformonte një zone ish-depozitash mbetjesh në një hapësirë të gjelbër urbane, por akuzat për tendera të paracaktuar, korrupsion dhe favorizime klienteliste e kanë kthyer në një nga dosjet më të ndjeshme politike të viteve të fundit.
© SYRI.net