Lajmi i fundit

PD dënon grisjen e flamurit izraelit: Akt kriminal dhe antisemit

'Non Grata e Berishës ka rënë', Kedhi: SHBA po kupton se miliona dollarë për drejtësinë në Shqipëri, përfunduan në duart e Ramës

18:33, 13/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në emisionin 'Task Force' në Syri TV, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Nikola Kedhi, foli mbi interesin e shtuar të mediave dhe institucioneve amerikane për situatën në Shqipëri, veçanërisht në raport me reformën në drejtësi dhe mënyrën si janë përdorur fondet e dhëna nga SHBA.

Ai theksoi se raportimet e Fox News dhe New York Post janë dëshmi e qartë se Shqipëria ndodhet sot nën vëmendjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së, si një vend ku investimi amerikan në drejtësi është devijuar në funksion të një pushteti personal të kryeministrit.

Kedhi solli në vëmendje edhe reagimet e fundit në Kongresin Amerikan, dokumentet zyrtare, rezolutat ndërkombëtare si dhe shfaqjen e Shqipërisë në diskursin politik të liderëve konservatorë në SHBA dhe Europë, për të treguar se reforma në drejtësi, në vend që të sillte drejtësi për qytetarët, është përdorur si mjet për goditjen e opozitës dhe kapjen e sistemit.

Sipas tij, sanksionet non grata kanë humbur legjitimitetin, ndërsa qytetari shqiptar sot ndodhet i pambrojtur përballë një sistemi të dështuar, ku mungon si drejtësia, ashtu edhe shërbimet bazë.

Pjesë nga deklarata:

Jo vetëm Fox News, por edhe New York Post e ka rimarrë shkrimin. Mediat amerikane kanë qenë të interesuara për Shqipërinë muajt e fundit dhe ka një arsye të thjeshtë: kanë dhënë lekë një sasi shumë të madhe parash jo vetëm gjatë dekadës së fundit, jo vetëm për reformën në drejtësi, por për shumë çështje në Shqipëri në përgjithësi.

Dhe, po të kishit dhënë qindra miliona dollarë, do të ishit të interesuar të dinit se ku kanë shkuar këto para, çfarë është bërë me to, cili është produkti. Ne e kemi parë këtë interesim që në vitin 2017, përmes një letre nga republikanët, drejtuar Sekretarit të Shtetit të asaj kohe, ku ata shprehnin shqetësimin e tyre për pasojat e kësaj reforme që po bëhej në Shqipëri dhe për ndikimin e USAID apo edhe të Fondacionit Soros në vend.

Së fundmi kemi parë raportime në Kongresin Amerikan, kemi parë kongresmenë që në institucione të ndryshme përmendin Shqipërinë, ashtu si edhe mediat. Shqipëria është në një farë "lupe" në SHBA, veçanërisht në këtë administratë.

Pak a shumë, konkluzioni i tyre është ai që nxjerrim edhe këtu në Shqipëri: këto para që ata kanë dhënë për Shqipërinë janë shpërdoruar janë përdorur për të kundërtën e asaj që synonin. Sepse i kanë dhënë drejtësinë një njeriu të vetëm, që është kryeministri.

Nga ana tjetër, po ta shohim, drejtësia në vend në vend që të përmirësohej është përkeqësuar. Mjafton të shohim rezultatet që dalin nga organizatat ndërkombëtare, të cilat tregojnë se drejtësia në Shqipëri ka rënë ndjeshëm krahasuar me vitin 2016, pra para reformës në drejtësi.

Kemi tre rezoluta të EPP, IDU dhe CDI, që përmendin përndjekjen po të themi të liderëve të opozitës: Berisha, Meta, Mediu. Nga ana tjetër, kemi një fakt shumë të rëndësishëm që shkon përtej politikës dhe prek qytetarin shqiptar, dhe për këtë flet edhe artikulli i Fox News.

Sot, qytetari shqiptar nuk merr drejtësi në Shqipëri, ashtu siç nuk merr arsim, shërbim shëndetësor, nuk ka mundësi ekonomike dhe në fund, nuk ka as drejtësi.

Nuk ka më dyshime që sanksionet non grata kanë rënë nëse jo zyrtarisht, atëherë efektivisht. Nuk i merr më njeri në konsideratë, sepse tashmë është bërë e qartë si nga institucionet amerikane, ashtu edhe nga mediat po kështu edhe në Shqipëri se bëhej fjalë për një çështje të motivuar politikisht. Prandaj është e natyrshme që ata tani po kërkojnë të dëgjojnë edhe mendimin e të gjithë faktorëve politikë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco