LVV shpall fitoren në Podujevë
Kreu aktual i Podujevës, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje tha se ka fituar zgjedhjet në rundin e parë.
Para aktivistëve të partisë së tij ai tha se gjatë mandatit të dytë do të jetë kryetar i të gjithëve, duke u kërkuar qytetarëve që të shpërndahen dhe të vazhdojnë festimet për këtë fitore në shtëpitë e tyre.
Sipas të dhënave paraprake, me 26.13 për qind të votave të numëruara, Bulliqi udhëheq me 52.70 për qind të votave, pasuar nga Ekrem Hyseni i Lidhjes Demokratike të Kosovës me 39.32 për qind.
LEXO EDHE: KQZ fillon publikimin e rezultateve zyrtare, këto janë votat e para të numëruara
Lladrovci shpall fitoren në Drenas
Ramiz Lladrovci nga lista Për Drenasin kampion me Ramiz Lladrovcin, shpalli fitoren në këtë komunë.
Ai tha se këtë fitore ia dedikon ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-nënkryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli – dy ish-udhëheqës të Partisë Demokratike të Kosovës.
Lladrovci ka fituar dy mandate në krye të Drenasit nën logon e PDK-së.
Sipas rezultateve preliminare, me 16.15 për qind të votave të numëruara, Lladrovci udhëheq në Drenas me 53.14 për qind të votave. I dyti është Petrit Hajdari nga PDK me 37.56 për qind.
LEXO EDHE: Vetëm 1.8% diferencë/ Ja kush kryeson në Fushë Kosovë, gara shkon në balotazh!
LVV në Fushë-Kosovë
Valon Prebreza nga Lëvizja Vetëvendosje po prin në garën për kryetar të komunës së Fushë Kosovës.
Ai ka fituar 43.65 për qind të votave, bazuar në numërimin e 23.73 për qind të votave.
Në vendin e dytë është Besnik Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 37.86 për qind të votave.
Kjo komunë, që nga zgjedhjet e para të mbajtura pas përfundimit të luftës është udhëhequr nga LDK-ja.
Arian Tahiri pritet të udhëheqë me Mitrovicën e Jugut
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, sipas sondazheve, pritet që të qeverisë me këtë komunë në katër vjetët e ardhshëm.
Tahiri veçse ka qenë pjesë e udhëheqjes së kësaj komune, pasi ka shërbyer si nënkryetar i Bedri Hamzës për katër vjet.
Sipas ueb-faqes së Komunës së Mitrovicës së Jugut, Tahiri u lind në Mitrovicë më 1993.
Tahiri i ka përfunduar studimet në ekonomi dhe shkenca politike. Studimet e doktoratës i ka përfunduar në South East European University, në drejtimin ekonomiks, ndërsa masterin në Banka Financa, dhe i ka dy fakultete në nivelin baçelor: në ekonomi dhe shkenca politike.
LEXO EDHE: Prishtina drejt balotazhit/ Ja si ndahet gara mes LDK-së dhe LVV-së
Ndërkaq, ai ishte marrë edhe me sport. Përkatësisht, që në fëmijëri ka qenë pjesë e shkollës së basketbollit të ekipit “Trepça”. Më 2009 është bërë basketbollist profesionist i klubit basketbollist “Trepça” dhe u shpall kampion i kupës së Kosovës. Karrierën si basketbollist e ka përfunduar më 2019.
Exit poll-et e publikuara nga tri televizione në Kosovë e kanë nxjerrë atë fitues. Megjithatë, mbetet të konfirmohet ky rezultat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që ka nisur publikimin e rezultateve zgjedhore.
Sipas të dhënave të KQZ-së, dalja në rundin e parë të zgjedhjeve lokale ishte 39.47 për qind.

Agim Aliu shpall fitoren në Ferizaj
Agim Aliu nga Partia Demokratike e Kosovës ka shpallur fitoren në zgjedhjet lokale në komunën e Ferizajt.
Gjatë një fjalimi në këtë qytet, ai ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë që të qeverisë edhe në katër vjetët e ardhshëm.
“Sonte fituan të gjithë, fitoi Ferizaj dhe ferizajasit. U dëshmua se puna mbizotëron mbi zhurmën”, tha ai.
Parashikimet e nxjerrin atë të parin, duke ia dhënë edhe një mandat në krye të kësaj komune që në rundin e parë të zgjedhjeve.
Nis festa e LDK-së në Prishtinë, rezultatet paraprake nxjerrin Përparim Ramën të parin
Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, ka nisur festën në Prishtinë.
Muzika dhe dajret kanë shpërthyer në kryeqytetin e Kosovës, pasi Përpaim Rama rezulton i pari sipas rezultateve paraprake.
Numërohen të gjitha votat në Junik, balotazh mes Ruzhdi Shehut e Agron Kuçit
Ka përfunduar numërimi i votave në komunën e Junikut. Sipas rezultateve preliminare kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ruzhdi Shehu dhe ai i AAK-së, Agron Kuçi do të shkojnë në balotazh.
Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Shehu ka marrë 47.91 për qind të votave, përkatësisht 1,193 vota nga gjithsej 4,846 .
Pas tij renditet kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Agron Kuçi, me 40.68 për qind ose 1,013 vota.
Në vendin e tretë është Jetmir Tofaj nga Lëvizja Vetëvendosje me 11.29 për qind (281 vota).
Numërohen mbi 70 përqind e vendvotimeve në Suharekë, ky është rezultati
Në Komunën e Suharekës janë numëruar 73 përqind e vendvotimeve.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ’së, në këtë komunë po prin Bali Muharremaj i AAK’së me 45.17 përqind të votave.
Pas tij renditet Ardian Shala i LDK’së me 32.21 përqind.
© SYRI.net