Bashkitë konfirmojnë rritjen e taksave për qytetarët: Rritja e tarifës për mbetjet do ketë impakt

14:59, 10/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Duke marrë fjalën në emër të kolegëve të saj, Kryetarja e Bashkisë Dimal, Juljana Memaj, solli në vëmendje sfidat praktike që do të shoqërojnë zbatimin e projektligjit për menaxhimin e mbetjeve. Edhe pse e vlerësoi ligjin si të hartuar mirë në teori, ajo paralajmëroi se ai rrezikon të jetë i pazbatueshëm pa mekanizmat dhe financimet e duhura.

Shqetësimi kryesor i ngritur nga Memaj ishte rritja e pashmangshme e kostove. 'Ky ligj na ngarkon me detyra të reja: fushata sensibilizuese, ndarja e mbetjeve në burim, transporti në stacione tranzitore. Të gjitha këto do të çojnë në rritjen e tarifave për komunitetin, gjë që mund të sjellë një impakt të rëndë social,' tha ajo. Për të zbutur këtë goditje, Memaj propozoi një periudhë tranzitore trevjeçare, gjatë së cilës kostot shtesë të mbulohen nga qeveria qendrore përmes një granti të dedikuar, në përputhje me ligjin për financat vendore.

Një nga pikat më të debatuara ishte ajo e penaliteteve. Projektligji parashikon gjoba nominale për kryetarët e bashkive në rast moszbatimi. 'Unë kundërshtoj fort këtë pikë. Një kryetar bashkie mund të ketë gjithë vullnetin, por pa mundësitë financiare dhe burimet njerëzore, implementimi është i pamundur. Gjoba duhet të jetë për institucionin, jo për individin,' argumentoi Memaj.

Ajo gjithashtu kërkoi që, përpara hyrjes në fuqi të ligjit, të hartohen akte nënligjore që përcaktojnë qartë standardet minimale të ofrimit të shërbimit. Këto standarde duhet të përfshijnë numrin minimal të punonjësve, koston minimale të shërbimit dhe metodologji të rishikuara, në mënyrë që të gjitha bashkitë të kenë një bazë të qartë dhe të matshme për operimin e tyre.

Diskutimi

Përshëndetje të gjithëve!

Po, desha të ndaj me ju disa mendime në lidhje me projektligjin e ri, që besoj janë të vlefshme.
Në lidhje me sa u parashtrua edhe pyetja që kjo mund të ketë konflikt me një ligj organik — besoj që nuk ka.

Po të shikosh projektligjin në tërësinë e vet, ai është një projektligj i hartuar mirë, me disa problematika të cilat mund të mos e bëjnë atë të zbatueshëm. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm që të dalin aktet nënligjore përkatëse, apo disa rregullime në dispozitat përkatëse të ligjit, për ta bërë atë të zbatueshëm. Sepse, përveçse duhet të jetë një ligj i hartuar mirë, duhet të ekzistojnë mekanizmat dhe instrumentet për ta bërë atë të zbatueshëm në terren.

Ligji ekzistues për pushtetin vendor citon në nenin 23 dhe 26 funksionin e bashkisë që lidhet me menaxhimin e mbetjeve, dhe konkretisht në nenin 23 është sigurimi në nivel vendor i masave për mbrojtjen e cilësisë së ajrit, tokës e ujit nga ndotja. Gjithashtu, zhvillon aktivitete edukuese dhe promovuese në nivel vendor, të cilat lidhen me mbrojtjen e mjedisit.

Në fakt, ekziston edhe një VKM e cila lidhet me metodologjinë për përcaktimin e kostos apo tarifimit të këtij shërbimi që e thonë bashkitë tek komuniteti i vet. Në fakt, ky projektligj në tërësinë e vet, i cili detajon në mënyrë të saktë gjithë ekonominë qarkulluese që do të kenë mbetjet, apo hierarkinë e mbetjeve në një territor të caktuar, përcakton qartë edhe përkufizimet e sakta të mbetjeve në projektligj, por edhe gjithë itinerarin që do të kenë këto mbetje deri në landfill apo në incinerator.

Mendoj se duhet një periudhë tranzitore e parashikuar në këtë projektligj që të bëhet i zbatueshëm, sepse kjo do të çonte në rritjen e tarifimit të komunitetit, i cili do të sillte edhe një impakt social. Vetë metodologjia, ajo e vitit 2018 — por këtë mund ta thonë edhe më saktë përfaqësuesit e ministrisë që kemi këtu — përfshin vetëm grumbullimin dhe çuarjen e këtyre mbetjeve në vendgrumbullim, siç operojmë ne aktualisht sot.

Ndërsa me daljen e këtij projektligji të ri, nëpërmjet menaxhimit të integruar të mbetjeve, do të na shtohen kostot edhe për bërjen e promovimit apo asaj fushate sensibilizuese të komunitetit, të cilët duhet të bëjnë ndarjen në burim. Do të na shtohen kosto për ndarjen në burim, do të na shtohen kosto për çuarjen e disa bashkive në vendet e stacioneve tranzitore — pra, një sërë kostosh të reja shtesë do t’u shtohen bashkive në lidhje me këtë shërbim, i cili nëpërmjet këtij projektligji rritet dhe çohet në një nivel tjetër.

Po si do të bëhet kjo e mundur?
Ndaj është e nevojshme që, edhe në bazë të ligjit për financat vendore, të ketë një pjesë në grandin e kushtëzuar të bashkive që financohet nga qeveria shqiptare, e cila të jetë dedikuar pikërisht për këtë shërbim të bashkive. Pikërisht kjo duhet të jetë për tre vitet e para, ashtu siç e parashikon në fakt ligji për financat vendore. Kjo do të ndihmonte shumë që ky ligj të bëhet i zbatueshëm.

Gjithashtu, unë do të doja që, përpara se ne të hynim në implementimin e këtij ligji, të kishim një standard minimal të ofrimit të këtij shërbimi — pra, të ketë një akt nënligjor apo VKM, e cila të përcaktojë qartë që bashkitë minimalisht çfarë duhet të ofrojnë për këtë. Të kemi një indikator matës në lidhje me këtë, për të matur edhe bashkitë, sepse penalitetet për kryetarët e bashkive këtu janë të konsiderueshme.

Desha të ndaj me ju që nuk duhet të lihet një penalitet për kryetarin e bashkisë nominalisht, në emër të tij, sepse kjo duhet të jetë një gjobë e institucionit dhe jo e kryetarit të bashkisë. Sepse kryetari i bashkisë mund të ketë gjithë vullnetin për ta bërë shumë mirë implementimin e këtij ligji, por s’ka mundësitë financiare ose nuk ka burimet njerëzore përkatëse që ta ndjekin me përgjegjshmëri këtë.

Në standardin minimal të ofrimit të këtij shërbimi, do të doja që të përfshiheshin numri minimal i punonjësve për ofrimin e këtij shërbimi nga bashkitë, pra për tonë mbetjesh. Kjo të përcaktojë koston minimale të ofrimit të shërbimit, që besoj duhet të jetë e përgjithshme, sepse varet nga metodologjia. Ajo me numër 319 duhet të rishikohet.

Gjithashtu, të bëhet një përcaktim më i saktë i mbetjeve të riciklueshme dhe të jetë e qartësuar saktë në vendimin e qeverisë. Kjo do të ndihmonte shumë edhe operimin e bashkive, por gjithashtu edhe për pjesën e grantit të kushtëzuar për financimin që do të vijë nga pjesa e qeverisë në ndihmë të bashkive.

Një tjetër çështje është se, në lidhje me përcaktimin e hartimit të planeve gjashtëmujore dhe gjashtëvjeçare nga institucionet përkatëse, kjo duhet të monitorohet dhe të ndiqet nëse zbatohen apo jo, sepse është lënë pak evazive.

Gjithashtu, unë do të sugjeroja që bashkitë ta zgjedhin vetë stacionin përfundimtar apo landfillin ku do të depozitonin mbetjet e tyre. Kjo nisur edhe nga largësia që ka bashkia me një landfill përkatës që shtrihet në territor, pra t’i çojë mbetjet në landfillin më të afërt, që të ulen kostot.

Gjithashtu, në fakt, në projektligj trajtohet edhe çështja e trajtimit të mbetjeve bio, që kjo është rishtazi për herë të parë, besoj, në ligjin e ri. Do të doja të sugjeroja që kjo të bëhet në nivel qarku, sepse në nivel bashkie nuk është efikase. Një bashki mund të bëjë të mundur shitjen e asaj që rikuperon nga këto mbetje, por dikush tjetër nuk mund ta realizojë dot. Të qenurit në nivel qarku e bën atë më efikas.

Ju faleminderit!
Faleminderit, kryetare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco