Ish-prokurori Gentian Trenova, në një intervistë për Syri TV, deklaroi se lajmi i publikuar nga gazetari italian Nello Trocchia, ku përmendet kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij në lidhje me takime sekrete me narkotrafikantë, mund të përbëjë vetëm një pjesë të vogël të tablosë së përgjithshme.
Trenova theksoi se është e çuditshme që ky informacion ka dalë tani, pasi bëhet fjalë për ngjarje të vitit 2019. Ai shtoi se nuk ka informacion të plotë nëse autoritetet e huaja kanë kryer hetime për këtë rast dhe në çfarë faze ndodhen ato, si dhe cilat janë autoritetet e huaja të përfshira përveç atyre italiane.
Sipas Trenovës, nëse autoritetet amerikane, si DEA, kanë kryer hetimet e tyre, nuk dihet niveli i përfshirjes së tyre. Ai gjithashtu vuri në dukje se në Shqipëri kanë kaluar vite gjatë të cilave qeveria dhe vendi janë akuzuar nga mediat ndërkombëtare dhe raportet e huaja për bashkëpunim me organizata kriminale në pastrimin e parave të narkotrafikut përmes investimeve të ndryshme.
Trenova theksoi se kjo gjë është e njohur dhe flitet shpesh, por autoritetet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjorë, ndërkohë që SPAK duhet të ofrojë të paktën një informacion minimal për publikun nëse ka të dhëna për të nisur hetime.
Ai theksoi se situata është e rëndë, pasi autoritetet shqiptare shpesh nuk hetojnë për çështjet që interesojnë publikun, dhe pavarësisht reformës në drejtësi dhe fondeve të shpenzuara, korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdojnë të rriten nga viti në vit.
Trenova:
'Lajmi që ka nxjerrë gazetari italian mund të jetë vetëm një pjesë e vogël e tablosë së përgjithshme për të cilën bëhet fjalë, gjithsesi është e çuditshme që ky informacion ka dalë tani, bëhet fjalë për vitin 2019 dhe nuk kemi informacion të plotë nëse autoritetet e huaja kanë kryer hetime në lidhje me këtë rast apo në çfarë faze janë hetimet dhe kush janë autoritetet e huaja përveç autoriteteve italiane, nëse ka.
© SYRI.net