I ftuar në emisionin 'Task Force' nën drejtimin e Sonila Meço, Kryeredaktori i Syri TV, Romir Saraçi, u shpreh me tone të forta mbi prapaskenat politike që po shoqërojnë përpjekjet për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut të Tiranës.
Sipas Saraçit, nuk bëhet fjalë për një proces të udhëhequr nga parimet kushtetuese apo ligjore, por për një “lojë të pastër politike” të Edi Ramës, i cili, siç theksoi ai, kërkon të kontrollojë me çdo kusht Bashkinë e Tiranës dhe të eliminojë përfundimisht Veliajn nga skena politike.
Në analizën e tij, Saraçi nënvizoi se kjo është një përplasje personale mes Ramës dhe Veliajt, e cila ka degjeneruar në një luftë të heshtur brenda mazhorancës, ku ligji dhe precedenti nuk kanë më asnjë vlerë. Ai renditi një sërë rastesh të ngjashme, ku Rama ka vepruar me standard të dyfishtë, duke e përdorur drejtësinë si mjet për qëllime politike dhe për të goditur kundërshtarët apo rivalët brenda partisë.
Pjesë nga deklarata:
Në aspektin juridik, ky është një moment shumë i rëndësishëm përsa i përket ekzistencës dhe funksionimit të shtetit. Por diskutimi juridik më duket i pavend dhe i pavlerë, sepse prej kohësh Shqipëria nuk funksionon më mbi bazën e ligjeve dhe Kushtetutës, por sipas dëshirave të Edi Ramës.
Kërkesa për shkarkim është bërë nga Partia Demokratike që prej kohësh jo vetëm kur kaluan 3 muaj, 6 muaj apo dy vite. Pse nuk u shkarkua Veliaj në momentin e arrestimit? Pse nuk u shkarkua kur Gjykata e Apelit konfirmoi masën e sigurisë “arrest me burg”, kur nuk kishte më vend për diskutime? Nuk kishte asnjë pengesë ligjore. Ishin vetëm makinacionet politike të kryeministrit.
Në rastin konkret, nga ajo që kemi parë dhe mësuar, ka pasur një luftë të vazhdueshme mes Veliajt dhe Ramës për mënyrën se si do të zgjidhej situata në Bashkinë e Tiranës. Veliajt i është kërkuar dorëheqja vazhdimisht nga ana e Edi Ramës, madje kjo kërkesë është shoqëruar edhe me presione deri në formë kërcënimi. Përballë kemi një kryebashkiak të arrestuar, i cili ka refuzuar, ka hezituar dhe ka çuar situatën deri në këtë pikë.
Edhe pas kërkesave të fundit për dorëheqje, Veliaj ka reaguar vetëm ndaj ngacmimeve mediatike. Pse nuk ka folur publikisht gjatë gjithë kësaj periudhe? Mund të mos flasë asnjëherë, por fakti është se nuk kemi parë asnjë reagim të drejtpërdrejtë. Është një luftë e heshtur mes tyre, e cila zhvillohet përmes spin-eve në media, përmes njerëzve të tyre, mediave të kontrolluara apo kontakteve të përbashkëta, duke testuar alternativa për të kundërpërgjigjur.
Sfida e parë u shfaq me anëtarët e Këshillit Bashkiak, të cilët nuk ishin të gjithë në unison për të votuar për shkarkimin. Rama i mblodhi në selinë e PS-së. Ndërkohë, nga ana tjetër, ka diskutime se Veliaj mund të kundërpërgjigjet duke e çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
Pra, e gjithë kjo është një lojë politike. Një vendimmarrje që buron nga egot personale të kryeministrit, por edhe nga një motiv i fortë: Tirana është kryeqyteti, bashkia më e madhe në vend, dhe nuk mund të qëndrojë pa drejtim. Por përveç ligjit, kemi edhe precedentë.
Veliaj ndodhet në qeli që prej muajit shkurt. Paralelisht, kryetari i Bashkisë Tropojë, Rexh Byberi, është në qeli prej 11 muajsh. Pse nuk u shkarkua ai? Madje për Byberin ka fakte se ka shkelur masën e sigurisë "arrest shtëpie". Ka prova me foto dhe video që tregojnë se ka firmosur dokumente. Nën masën "arrest në shtëpi", ai nuk është paraqitur në zyrë. Dhe nëse e ka ushtruar detyrën nga zyra, atëherë situata është edhe më e rëndë për pozitat e tij. Pse nuk e shkarkoi Rama Rexh Byberin, por u ngut të shkarkojë Veliajn?
Kemi gjithashtu rastet e Fatos Tushes dhe Lefter Allës, të cilët u shkarkuan menjëherë. Nëse flasim për parime demokratike, atëherë pse nuk shkarkohet edhe kryetari i Bashkisë Rrogozhinë, i dënuar me 2 vite burg?
Edi Rama kërkon fundin e Erion Veliajt.
© SYRI.net