Pas dekretimit nga Bajram Begaj të Diellës si Ministre Virtuale, Edi Rama i ka dhënë pushtet absolut. Sipas programit 4-vjeçar të qeverisjes, Diella do të ketë kontrollin dhe vendimmarrjen e çdo ministrie dhe në çdo sektor të qeverisjes. Duke përdorur këtë Ministri Virtuale, Edi Rama ka shndërruar në kukulla ministrat, ndërsa çdo vendim e kontroll do të bazohet në algoritmet e përgatitura prej tij, ndërsa përgjegjësia në raste abuzimesh duket se do ti mbetet teknologjisë.
Syri TV
Pasi lançoi krijimin e një ministre të Inteligjencës Artificiale të quajtur Diella, për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik, kryeministri Edi Rama ka vendosur që ti japë pushtet absolut dhe kontroll mbi gjithçka, ministrit robot. Megjithëse pretendonte se ministria e Inteligjencës Artificiale do të merrej vetëm me prokurimet publike, drafti i programit qeverisës të partisë socialiste, tregon se Edi Rama, do ti japë Diellës, ministres së inteligjencës artificiale, kontroll dhe vendimmarrje në çdo sektor e ministri.
Në program parashikohet që algoritmet e inteligjencës artificiale, të krijuara sipas urdhrave të kryeministrit do të kenë rol vendimmarrës për bizneset dhe jetën e çdo qytetari, për kartelat shëndetësore e deri te sistemi tatimor e doganor.
Diella do të vendosë për bujqësinë, për administratën, do të bëjë konsulta shëndetësore, të përcaktojë sigurinë ushqimore duke marrë të gjithë pushtetin dhe duke i kthyer të gjithë ministrat e tjerë në kukulla.
Lexo dhe:Ekspertët ndërkombëtarë: Korrupsioni në Shqipëri do të transferohet te Diella
Në kushtet kur Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, miratoi dekretin sipas të cilit “Kryeministri ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale, Diella”, i gjithë portofoli shtetëror është në duart e algoritmeve që do të vendosë Kryeministri.
Ndërsa roli i gjithpushtetshëm i ministres virtuale do të prezantohet nga Kryeministri në seancën e kësaj të enjte në Kuvend, bashkë me programin qeverisës për katër vitet e ardhshme, Edi Rama është kujdesur të heqë nga vetja çdo përgjegjësi ligjore. Sepse, në rast korrupsioni ose skandali, apo në rastet e aferave dhe tenderave preferencialë, tashmë përgjegjësinë do t’ia lërë inteligjencës artificiale.
© SYRI.net