Këshilltari i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Jonathan Pano, i ftuar në një intervistë në edicionin e lajmeve të mesditës në SYRI TV, tha se tashmë Bashkia e Tiranës ndodhet në një fazë legjitimiteti të plotë për të ndërmarrë hapat ligjorë drejt shkarkimit të Erion Veliajt.
Sipas tij, opozita ka kërkuar prej muajit maj që të diskutohet zyrtarisht situata në bashki dhe të nisë procedura për shkarkimin e Veliajt, por kërkesa është injoruar nga mazhoranca. Pano thekson se Bashkia është keqmenaxhuar si me praninë, ashtu edhe në mungesë të Veliajt, ndërsa problematika të mëdha, si mungesa e ujit të pijshëm, vazhdojnë të mbeten pa përgjegjës.
Jonathan Pano: Tani jemi në një legjitimitet total të Bashkisë së Tiranës. Ne si grup i partisë Demokratike, kemi dorëzuar që më 9 maj shkresën për mbledhjen e këshillit bashkiak të Tiranës dhe për shkarkimin e kryetarit Erion Veliaj. Në fakt, nuk është këshilli bashkiak ai që vendos për shkarkimin, por këshilli bashkiak kalon kërkesën e vetë në këshillin e ministrave. E më pas, është Këshilli i Ministrave dhe Kryeministri që merret më pas me shkarkimin.
Dhe nga momenti që ne kemi dorëzuar shkresën tonë deri në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak që ishte javën e kaluar, në çdo mbledhje ne kemi kërkuar diskutime mbi situatën aktuale në Bashkinë e Tiranës. Bashkia e Tiranës këto 7 muajt e fundit ka qenë akoma më keq nga çka qenë më përpara dhe keqmenaxhimi si me Erion Veliaj dhe pa Erion Veliaj e ka sjellë qytetin në këtë pikë ku është sot.
Ne vazhdojmë ende të kemi probleme me ujin në Bashkinë e Tiranës dhe nuk kemi kë të bëjmë përgjegjës për këtë punë. Është e vërtetë që me mbledhjen sot të këshilltarëve të PS në sallën e PS, mesa duket dhe ne do të kuptojmë më qartë se kur do të bëhet kërkesa për shkarkimin e Erion Veliajt dhe më pas do të ndiqen të gjitha procedurat ligjore. Është diçka që ne e kemi kërkuar dhe tanimë prej 4 muajsh dhe në çdo mbledhje të këshillit bashkiak kemi insistuar për shkarkimin.
© SYRI.net