Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe akademiku Tonin Gjuraj, i ftuar në emisionin Kafe Shqeto në Syri TV, foli mbi Raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për periudhën 1 janar 2022–30 qershor 2024. Sipas raportit, universiteti ka shkaktuar një humbje prej 34 milionë e 779 mijë lekësh në vetëm një vit e gjysmë.
Gjuraj theksoi se për të dhe institucionin nuk ishte një lajm i papritur, duke shpjeguar se vendimi i KLSH mbështetet në raportim përfundimtar dhe në auditime të rregullta: “Pas një periudhe të caktuar kohe, të gjitha institucionet e arsimit të lartë auditohen. Ne kemi pasur një ekip auditues që ka punuar për disa muaj pranë institucionit tonë, duke audituar periudhën nga 1 janari 2022 deri më 30 qershor 2024, pra para se unë të merrja detyrën e rektorit,” u shpreh Gjuraj.
Ai shtoi se raporti, i shoqëruar me vendime dhe propozime për masa disiplinore ndaj individëve të caktuar, është marrë nga universiteti më 2 qershor dhe ka shërbyer për hartimin e një plani veprimi ligjor, me kohë të mjaftueshme për marrjen e masave ndaj përgjegjësve.
Rektori paralajmëroi edhe nevojën për rishikim dhe ndryshim të Ligjit të Arsimit të Lartë, Ligji 80/15, duke theksuar se diçka e tillë pritet të ndodhë së shpejti.
Gjuraj:
Për mua si rektor dhe për ne si institucion nuk ishte diçka e re sepse ky vendim që ka ardhur nga agjencia e prokurimit publik, posaçërisht nga drejtoria juridike dhe e monitorimit mbështetet mbi raportim përfundimtar të kontrollit të lartë të shtetit.
Siç është diçka rutinë, pas një periudhe të caktuar kohe, të gjitha institucionet e arsimit të lartë auditohen, dhe ne e kemi pasur një ekip auditues për disa muaj pranë institucionit tonë i cili ka audituar periudhën nga 1 janari 2022, deri në 30 qershor 2024, pra kur unë ende nuk kisha ardhur në zyrën e rektorit.
Pjesë të këtij raporti që pastaj shoqëruar me vendim dhe me propozim masash disiplinore nga individë të caktuar, janë brenda raportit të kontrollit të lartë të shtetit që ne e kemi marrë që më datën 2 qershor dhe nga njera anë e kemi bërë një plan veprimi sepse e kemi detyrimin ligjor për ta bërë diçka të tillë dhe kemi kohën e mjaftueshme për të marrë masa disiplinore, për secilin, sipas përgjegjësive.
Nevoja për të rishikuar madje për të ndryshuar ligjin e arsimit të lartë, ligjin 80/15 tashmë është, dhe siç është paralajmëruar, diçka e tillë do të ndodhë.
© SYRI.net