Në një intervistë në edicionin e lajmeve në SYRI TV, deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, ka lëshuar një akuzë të fortë kundër qeverisë dhe nismës për ndryshimin e Kodit Penal, duke e cilësuar këtë draft si një “atentat ligjor” ndaj themeleve të demokracisë në vend.
Sipas Vasilit, qëllimi i vetëm i këtij kodi të ri është të godasë lirinë e shprehjes, median e lirë dhe çdo zë kritik ndaj regjimit të Edi Ramës.
Petrit Vasili: Është shumë e qartë që ky dokument, Kodi që këta po gatuajnë, është një hap tjetër shumë i rrezikshëm. Po vërtet shumë i rrezikshëm. Do të thosha një atentat ligjor ndaj themeleve të demokracisë, pasi liritë themelore të një qytetari, liria e shprehjes dhe liria e medias janë qartësisht të vëna nën një atak të vërtetë dhe nën një sulm represiv të vërtetë.
Ky nuk është vetëm shqetësimi i opozitës shqiptare, të njëjtin shqetësim ndante edhe BE në Tiranë dhe të gjithë teleshikuesit duhet të kuptojnë që gjithë ky ngut i madh për të sajuar një dokument të tillë pa u druajtur që autorë të tij të jenë figura të diskredituara të drejtësisë shqiptare. Ju e shikoni që e drejton Arben Rakipi, një person që është shkarkuar nga detyra kur ishte Prokuror i Përgjithshëm për shkak të makinacioneve politike. Ju i dini historitë me Shkollën e Magjistraturës, etj-etj...
Në krye të një grupi të tillë, duhet të ishte një figurë absolutisht ‘top on the top’ dhe sigurisht me integritet moral të pacënueshëm. Këto të gjitha nuk kanë vlerë sepse në rastin konkret Belindës dhe Edi Ramës i duhen patjetër kamikazë për të bërë kodin, kamikaz për të bërë gjykimet në SPAK, siç keni parë tashmë që e njëjta gjyqtare e diskredituar që duhet të ishte në qeli për 1000 maskarallëqe ka marrë përsipër të gjykojë gjyqin për zotin Berisha dhe tani i vuri kapakun edhe për gjyqin e ish-Presidentit Ilir Meta.
Pra, këta funksionojnë në bazë të kamikazëve të kompromentuar që shprezën e vetë e kanë dëbuar nga këta dhe janë gati të ndërmarrin çdo lloj kodi. Ky është Kodi i Ri Penal.
Ju shikoni që lehtësira për të korruptuarit, ulje dënimesh dhe rëndime dënimesh për gazetarët. Sepse është e qartë që zullumet e tyre kanë dalë sheshit dhe duhet patjetër të dekurajohet, dënohet, stigmatizohet, të bëhet një presion i jashtëzakonshëm, mundësisht tek denoncimi.
Është ‘Kodi i mbylljes së gojës’, sepse hapja e gojës gjëmon nga afera pafund, dhe këta nuk kanë me kë ti ndajnë aferat sepse autorët e vetëm të tyre janë pikërisht këta dhe në krye të kupolës është Edi Rama që është dhe porositësi i këtij Kodi Penal.
© SYRI.net