Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luciano Boçi, në një intervistë për Top Channel, ka hedhur poshtë lëvizjen e paralajmëruar brenda PD nga kritikët e kryetarit Sali Berisha, duke e cilësuar atë si një ‘pasion momental’ dhe jo si një proces serioz.
Boçi u kujtoi demokratëve se vetëm vota është ajo që përcakton drejtuesit e partisë, ndërsa për ata që mendojnë ndryshe, ekziston opsioni i krijimit të një fraksioni.
‘Si mund të largosh një njeri nga drejtimi kur atë e vendos apo e heq vota apo vullneti i demokratëve? Jam disaprovues totalisht. Në PD, secili ka mendimin e vet ndryshe, mund ta shprehë, është diçka që ne e kemi pranuar vetë, e kemi zhvilluar dhe lejuar dhe kemi pranuar edhe fraksionet, dhe nëse dikush ka autoritetin për të bërë një fraksion, le ta bëjë; të mos e tregojë me autoritetin për ta hequr. Ne duhet të ndërtojmë; për të shkatërruar bëhet shumë kollaj’, theksoi ai.
Sa i përket humbjes së zgjedhjeve, Boçi mohoi se ishte pasojë e dobësive politike të partisë. Sipas tij, rezultati erdhi nga deformimi i procesit zgjedhor:
‘Kjo humbje nuk është natyrale politike, është artificiale, ka ardhur nga krimi i organizuar që ka përcaktuar dhe kandidatët, kriminalizimi i administratës, blerja e votës, shkelja e ligjit zgjedhor. SPAK mori përsipër të pengonte krimin zgjedhor dhe u bë palë, pra nuk është humbja klasike politike’, deklaroi Boçi.
© SYRI.net