Aksioni për lirimin e hapësirave publike pas kryeqytetit dhe qyteteve të tjera të vendit, është zhvendosur drejt atyre më të vogla.
Dhjetëra punonjës të Policisë Bashkiake në Burrel kanë mësyrë bizneset në qytet, ku u kanë kërkuar që të lirojnë hapësirat publike, pavarësisht se kanë paguar taksën për hapësirën e zënë në zyrat vendore të Bashkisë.
Gjatë përballjes me biznesin e vogël, punonjësit e Policisë Bashkiake të Matit me arrogancë u kanë shkatërruar mallin, që tregtarët e kishin nxjerrë për ta shitur.
Siç shihet dhe nga pamjet, të irrituar pronarët e bizneseve të vogla kanë lajmëruar inspektorët vendor se janë të rregullt me taksat, ndërsa këta të fundit kanë shpërfillur ligjet duke u kërkuar atyre të zhvendosin menjëherë materialet që kanë nxjerrë buzë trotuarit.
Ligjvënësja e zgjedhur demokrate në Qarkun e Dibrës, Denisa Vata ka sjellë shqetësimin e bizneseve të vogla, të cilët kundërshtojnë urdhrin për lirimin e hapësirave publike.
Ata thonë se po punojnë konform ligjeve, duke shtuar se aksioni në vetvete është i paligjshëm.
© SYRI.net