Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, në një deklaratë për mediat, ka reaguar ndaj situatës alarmante të zjarreve që kanë përfshirë Shqipërinë nga veriu në jug.
Balliu e cilëson këtë jo thjesht një tragjedi natyrore, por një pasojë direkte të korrupsionit të qeverisë Rama, e cila sipas tij, ka braktisur qytetarët në mëshirë të fatit, ndërsa vetë merret me vjedhje dhe shpërndarje fondesh për interesa klienteliste.
“Ndërsa flakët shkrumbojnë pyje, fshatra, spitale dhe rrezikojnë jetën e njerëzve, ndërsa zjarrfikësit luftojnë pa mjete dhe pa mbështetje, qeveria vazhdon të vjedhë miliona euro me tendera të manipuluar”, – theksoi Balliu, duke denoncuar një rast konkret që sipas tij përfaqëson skemën tipike të kapjes së shtetit dhe shpërdorimit të fondeve publike.
Deklarata e plotë për media:
Sot, ndërsa Shqipëria digjet nga veriu në jug, ndërsa flakët shkrumbojnë pyje, fshatra e spitale, ndërsa zjarrfikësit tanë luftojnë si heronj të braktisur pa mjete, qeveria e Edi Ramës vazhdon të vjedhë pa asnjë drojë.
Këto zjarre nuk janë thjesht tragjedi natyrore – ato janë pasojë direkte e korrupsionit qeveritar, e shpërdorimit të fondeve publike, e kapjes së emergjencave civile nga klientelizmi i pushtetit. Ndërsa qytetarët presin ndihmë, Edi Rama dhe ministrja Belinda Balluku u japin tendera miliona eurosh miqve dhe familjarëve politikë.
Shembulli i fundit është skandaloz: ARRSH, nën urdhrat e Ballukut, shpall fituese “IDK Konstruksion shpk”, kompaninë e familjes së administratorit të përgjithshëm të OSSH, Blendian Dalipaj. Jo vetëm që kjo kompani nuk ofroi çmimin më të ulët, por fitoi tenderin me 200 mijë euro më shumë se oferta më e lirë. Vlera e kontratës? 1.1 milion euro për sinjalistikë rrugore – një justifikim banal për një skemë të pastër përfitimi.
Ky është korrupsioni i pastër: një garë e manipuluar, një fitues i paracaktuar, një pushtet që grabit taksat e shqiptarëve edhe kur vendi është në emergjencë.
Partia Demokratike paralajmëron sot: çdo tender i tillë do të hetohet deri në detaj. Asnjë kontratë korruptive nuk do të mbetet pa u ç’bërë, dhe asnjë përgjegjës nuk do t’i shpëtojë të vërtetës dhe gjykimit të sovranit.
© SYRI.net