Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Qarkun e Gjirokastrës, Tritan Shehu, në një intervistë në Syri TV, tha se vendi ynë tashmë është futur në kolaps total të institucioneve shtetërore. Sipas tij, dështimi nuk është vetëm në nivelin lokal, por shtrihet në të gjitha sektorët kryesorë, përfshirë shëndetësinë, arsimin, shërbimet publike dhe mbrojtjen kundër zjarrit.
Ai thekson se korrupsioni ka shkaktuar humbje të mëdha, si në rastin e ujësjellësit të Këlcyrës, ku janë shpenzuar mbi 3 milionë euro pa rezultat, ndërsa infrastruktura elektrike mbetet e vjetëruar dhe e paaftë për t’i përballuar kushtet e motit. Për Shehun, ky është një tregues i dështimit të plotë të shtetit shqiptar, nga qendra deri në zonat më të largëta.
Tritan Shehu: Nuk është se kanë dështuar vetëm bashkitë. Këtu ka dështuar shteti. Këtu kanë dështuar institucionet sociale, institucionet qendrore dhe lokale. Këtu kemi një dështim dhe një kolaps të plotë në institucionet shtetërore, siç kemi dështim në shëndetësi, siç kemi dështim në arsim, siç kemi dështim në ujësjellësit. Kemi dështim kudo, edhe në mbrojtjen kundër zjarrit. Dhe ky është një dëshmi e qartë e situatës së dështimit të shtetit.
Ashtu si Këlcyra ku janë harxhuar mbi 3 milionë euro për një ujësjellës dhe një rezervuar për depo uji, është pa ujë. Pse? Sepse paratë janë zhdukur nga korrupsioni.
Ashtu si rrymat e energjisë elektrike në Memaliaj, në Tepelenë, në Gjirokastër në zonat rurale, kudo... Janë të viteve 70 dhe mjafton të fryjë një erë dhe të bien dy pika shi dhe e gjithë zona mbet pa drita, ashtu siç dështoi kësaj radhe mbrojtja kundër zjarrit apo lufta me zjarrin.
Pra, kemi një dështim të plotë të shtetit, nuk kemi vetëm një dështim të pushtetit lokal. Është një dështim i shtetit në tërësi. Këtu ka dështuar shteti, që nga qendra deri në periferitë e tij, deri në fushat lokale të tij.
© SYRI.net