Kryetari i Partisë Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka harxhuar miliona euro për afera korruptive dhe fluturime charter, duke lënë vendin pa avionë zjarrfikës. Në një konferencë për media, Berisha u shpreh se shteti duhej të kishte mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare në një situatë të emergjencës kombëtare.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka cilësuar si emergjencë kombëtare situatën e krijuar nga zjarret në vend, të cilat në disa raste kanë dalë jashtë kontrollit. Në një konferencë për media, lideri i opozitës deklaroi se qeveria duhej të kishte mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe të përdorte kapacitetet e ushtrisë për evakuimin e njerëzve, jo për të pushtuar ambientet e një televizioni dhe për të sekuestruar mjetet e punës së gazetarëve, siç bëri në rastin e News 24.
Kreu i Partisë Demokratike akuzoi kryeministrin Edi Rama si përgjegjësin kryesor të situatës, duke thënë se ka harxhuar miliona euro për fluturime charter dhe afera korruptive, në një kohë kur këto para duhej të përdoreshin për të siguruar avionë zjarrfikës për shuarjen e flakëve.
Lideri i Partisë Demokratike theksoi se qeveria duhej të shpallte gjendjen e fatkeqësisë natyrore në zonat e prekura nga zjarret, ndërsa shprehu mirënjohjen dhe falënderimet për forcat zjarrfikëse që punuan për fikjen e zjarreve dhe për vendet mike që i erdhën në ndihmë Shqipërisë.
© SYRI.net