Pas 3 vitesh heshtjeje, kur vendi është përfshirë nga vatra të mëdha zjarri, kryeministri Edi Rama ka reaguar, duke u përpjekur të justifikojë mungesën e avionëve zjarrfikës. Megjithëse qeveria ka harxhuar miliona euro në koncesione korruptive dhe nuk ka investuar në mjete ajrore për shuarjen e flakëve, Rama deklaroi se edhe vende që i kanë këto mjete sërish përballen me pasoja të mëdha nga zjarret.
Ndërsa vendi ndodhet nën pushtetin e flakëve dhe po përballet me zjarre masive, kryeministri Edi Rama theu heshtjen pas 3 ditësh, duke reaguar për situatën dhe duke shprehur një falënderim për forcat zjarrfikëse dhe të ushtrisë, të cilat në shumë raste shuajnë flakët me mjete rrethanore, për shkak të mungesës totale të pajisjeve nga ana e shtetit.
Në një kohë kur shpenzohen miliona euro për koncesione korruptive, por mungojnë mjetet e ndërhyrjes së shpejtë, Rama u përpoq të justifikojë mungesën e mjeteve ajrore për shuarjen e flakëve, duke thënë se ato nuk do të mjaftonin për të fikur zjarret dhe për të përmirësuar situatën që ka përfshirë gjithë vendin.
Ka shpërthyer një debat pse Shqipëria nuk blen avionë zjarrfikës, ndërkohë që sipas Ramës “ka ca llogari që duhen bërë dhe zjarret e ditëve të fundit nuk janë assesi çështje e një apo dy apo edhe tre avionësh. Dakord, mirë do ishte t’i kishim, por…”.
Duke siguruar se këtë vit Shqipëria ka më shumë mjete ajrore se çdo vit tjetër, falë flotës sonë dhe mbështetjes nga Mekanizmi Evropian apo Emiratet e Bashkuara Arabe, Rama i ftoi të gjithë të ngrenë një pyetje: “Po fqinjët tanë, Greqia dhe Italia, apo Turqia dhe Spanja, që po përcëllohen më keq se çdo vit tjetër, kanë vallë mungesë avionësh?!”
Nga ana tjetër, kryeministri u përpoq të relativizonte sërish situatën, duke bërë krahasime me Greqinë, megjithëse edhe këtë verë, për të përballuar situatën e zjarreve, u dërguan avionë zjarrfikës nga Greqia dhe nga vende të tjera të Bashkimit Evropian, pasi shteti shqiptar sërish nuk kishte kapacitete ajrore për të ndërhyrë në fikjen e vatrave të zjarrit.
Greqia ka një flotë ajrore totale prej 77 avionësh zjarrfikës; helikopterë janë rreth 20; automjete të tjera afërsisht 3,500, dhe zjarrfikëse të të gjitha llojeve e funksioneve. Pra, e thënë thjesht: sa më shumë, aq më mirë, pa diskutim. Por, prapëseprapë, kurimi i pasojave nuk i eliminon shkaqet, të cilat janë disa, janë të njëjta për të gjitha shtetet që po i vuajnë zjarret këtë sezon (disa shumë më keq se ne, meqë ra fjala), dhe janë shumë më komplekse sesa duken kur numëron avionët.
Megjithëse situata problematike e zjarreve përsëritet çdo verë, Rama la të kuptohej se qeveria nuk ka plan për të blerë avionë zjarrfikës. Po ashtu, kryeministri duket se nuk do të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore, e cila do ta detyronte shtetin të paguante dëmshpërblime për dëmet nga zjarret, në një kohë kur banorët e zonave të prekura kanë akuzuar autoritetet për ndërhyrje të vonuar në shuarjen e flakëve.
© SYRI.net