Qytetarët e Tiranës vijojnë të paguajnë në mënyrë abuzive tarifën 29 euro për ton për depozitimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës. Vetëm për vitin 2024, kompania Integrated Energy rezulton se ka pasur një fitim neto prej rreth 10.4 milionë euro, me një normë 60 përqind mbi xhiron. Të dhënat e bilanceve të depozituara në QKB, tregojnë se kompania që tashmë është në administrim shtetëror, po përdor taksat e qytetarëve të Tiranës, për të shlyer borxhet dhe abuzimet financiare të trashëguara nga zotëruesit privatë. Vetëm për vitin 2024 kompania ka shlyer mbi 5 milionë euro kredi bankare dhe borxhe të trashëguara.
Trau i landfillit të Sharrës po u kushton shtrenjtë xhepave të qytetarëve të Tiranës, ndërsa shteti po vijon të vjelë fitime kolosale. Kompania Integrated Energy BV SPV, tashmë nën drejtimin e Agjencisë Shtetërore të Aseteve të Sekuestruara, ka depozituar bilancet kontabël në Qendrën Kombëtare të Biznesit për vitin 2024. Nga të dhënat, rezulton se kompania ka pasur një arkëtim neto prej rreth 1.7 miliardë lekësh, apo më shumë se 17 milionë euro gjatë vitit 2024. Nga këto të ardhura, më shumë se 60 përqind e xhiros është fitim neto. Thënë ndryshe, nga rreth 17.4 milionë euro xhiro, 10.3 milionë euro janë fitim neto. Kjo tregon se qytetarët e Tiranës po vijojnë të paguajnë shtrenjtë tarifën 29 euro për ton për depozitimin e mbetjeve në Sharrë, pasi procesi i incenerimit duket se nuk do të kryhet më kurrë, pasi impianti i djegies së mbetjeve nuk është ndërtuar.
Ajo që bie në sy, është fakti se abuzimet me miliona euro të zhdukura të përkthyera në borxhe të trashëguara për kompaninë e inceneratorit, po paguhen sot nga taksat e qytetarëve të Tiranës. Sipas raportit të ecurisë së veprimtarisë për vitin 2024, llogaritë e pagueshme ndaj furnitorëve u ulën me mbi 400 mijë euro, duke rënë në 6.2 milionë euro. Kompania shleu mbi 1.4 milionë euro kredi të trashëguara. Megjithatë, Integrated Energy ka ende dhe 7.7 milionë euro kredi për të shlyer, të cilat ishin marrë në banka të nivelit të dytë. Veç shlyerjes së kredive, kompania pagoi edhe 3.5 milionë euro detyrime të prapambetura ndaj Tatimeve gjatë vitit të kaluar. Edhe këto detyrime ishin lënë të trashëguara nga privati.
Ndërkohë, sipas dokumenteve, Integrated Energy ka ende edhe 2.2 milionë euro borxhe të prapambetura për shkak të mospagesës së taksave gjatë administrimit nga koncesionari privat. Me pak fjalë, qytetarët e Tiranës tashmë janë duke paguar borxhet e lëna pas nga administrimi privat i landfillit të Sharrës dhe do të duhet të paguajnë ende edhe 10 milionë euro të tjera për t’i shlyer plotësisht detyrimet e prapambetura. Prej gushtit të vitit 2023, kompania Integrated Energy, që fitoi koncesionin 30-vjeçar të mbetjeve në Sharrë, është nën sekuestro nga SPAK.
Deri më sot, afera e djegësit të Tiranës ka disa të pandehur dhe të dënuar, por drejtësia ende nuk ka thënë fjalën e fundit mbi implikimin ligjor të Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, të cilët kanë firmosur dokumente të rëndësishme për këtë koncesion. Afera e inceneratorit të Tiranës, përllogaritet që prej vitit 2018 e deri në vitin 2024, t’u ketë kushtuar më shumë se 150 milionë euro qytetarëve të Tiranës, ndërsa pagesat vijojnë me të njëjtin ritëm ndonëse djegësi nuk është ndërtuar.
© SYRI.net