Ish-deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si një politikan që është i gatshëm të sakrifikojë gjithçka për interesa personale dhe politike.
I ftuar në ‘Edicionin e Pasdites’ në SYRI TV me moderatorin Arnold Karriqi, Vasili deklaroi se Rama po rikthen praktika të ngjashme me ato të diktaturës, duke fabrikuar armiq e agjentura imagjinare për të larguar vëmendjen nga skandalet që rëndojnë mbi qeverinë e tij.
Duke u ndalur te projekti i shumëdebatuar i Zvërnecit, ai akuzoi Ramën për mashtrim publik dhe deklarata kontradiktore. Sipas tij, kryeministri tentoi të krijonte perceptimin se bëhej fjalë për një investim amerikan, ndërsa dokumentet zyrtare tregojnë të kundërtën.
Vasili akuzoi Ramën se përdori emrin e familjes së Presidentit Donald Trump për qëllime propagandistike, duke krijuar përshtypjen se pas projektit qëndronte shteti amerikan.
‘Kemi të bëjmë me një kryeministër të inkriminuar, i gatshëm të luajë lojërat më të rrezikshme dhe më të ulëta kundër popullit shqiptar, deri edhe te tentativat për grabitjen e territoreve. Më pas, ai shpik histori sipas modelit të diktaturës, duke fabrikuar agjentura imagjinare. Dikur ishin agjentura greke, më pas serbe, pastaj iraniane. Dje u shpallën edhe kosovare e maqedonase. Dëgjuat vetë kur foli për ‘gurë që vijnë nga Kosova dhe Tetova’.
Sot ai po kërkon ‘grupin e spiunazhit’ të radhës, ashtu si dikur kërkoheshin grupet armiqësore në parti për t’u eliminuar para viteve ’90, vetëm për të mbuluar problemet e veta.
Shqiptarët e kanë kuptuar tashmë se kanë përballë një batakçi në krye të qeverisë, një njeri që nuk heziton të nxjerrë në treg çdo gjë për interesa politike, vetëm për të blerë pak influencë apo mbështetje politike.
Kjo u pa qartë edhe në protestat kundër investimit në Zvërnec. Aty dëgjuam deklarata që mund t’i bëjë vetëm një bandit politik. Fillimisht foli për një projekt madhor me vlerë mbi 4 miliardë euro. Më pas, në një intervistë për CNN, deklaroi se nuk ekziston fare projekti. Pra, nga njëra anë kemi një projekt gjigant me miliarda euro dhe, nga ana tjetër, pretendimin se projekti nuk ekziston. Atëherë lind pyetja: si e di ai koston e një projekti që pretendon se nuk ekziston?
Së dyti, ai mbushi opinionin publik me pretendimin se bëhej fjalë për një investim amerikan. Dokumentet e vetë shtetit shqiptar provuan se nuk kishte të bënte me një investim amerikan. Përfshirja e emrit të familjes së Presidentit Trump u përdor në mënyrë të qëllimshme, sipas skenarëve dhe interesave politike të Edi Ramës.
U krijua përshtypja se qeveria amerikane apo shteti amerikan ishin të përfshirë në projekt. Në fakt, kjo ishte një përpjekje për të ngritur një kurth politik, një taktikë që Edi Rama e përdor shpesh, por në këtë rast ra vetë në kurthin që ngriti.
Shteti amerikan ka qenë gjithmonë serioz dhe transparent në mbështetjen e investimeve amerikane në Shqipëri. Ndërkohë, antishteti dhe banditizmi politik i Edi Ramës krijuan një situatë krejt tjetër.
A nuk e dinte Edi Rama se Bashkimi Europian kishte një qëndrim të qartë kundër vazhdimit të ligjit për investimet strategjike? Ky ligj ishte miratuar fillimisht si masë e përkohshme për vetëm tre ose katër vjet, ndërsa u zgjat për 13 vjet.
A nuk e dinte ai se mënyra si po vepronte me pronat dhe rrethimin e territoreve do të krijonte konflikt dhe kundërshti?
Po ashtu, kur i tha CNN-it se nuk kishte projekt, si shpjegohet fakti që ekzistonte një leje ndërtimi e miratuar me firmën dhe vulën e qeverisë së tij?
Të gjitha këto janë elemente të errëta, njëri më problematik se tjetri.
Një tjetër pyetje mbetet pa përgjigje: pse u vetëofrua Edi Rama për këtë projekt? Në intervistën e Jared Kushner është thënë qartë se Rama u vetëofrua gjatë një takimi në një jaht, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të familjes Rothschild. Në kushtet kur ekzistonin kaq shumë probleme ligjore dhe politike, çfarë ofroi konkretisht Edi Rama?
Së fundi, është provuar se as familja Trump, as Jared Kushner dhe as Ivanka Trump nuk kanë investuar asnjë dollar në këtë projekt dhe nuk janë palë financuese të tij. Sipas dokumenteve zyrtare, financuesit janë investitorë nga Katari dhe struktura offshore me lidhje shqiptare, identiteti i plotë i të cilëve ende nuk është bërë publik. Dokumentet tregojnë gjithashtu transaksione të përsëritura të shitblerjes së aksioneve mes të njëjtëve subjekte.’, tha ndër të tjera Petrit Vasili në SYRI TV.
© SYRI.net