Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 14-të e protestave kundër Ramës, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit

SYRI TV/ Ligji i qeverisë për zonat e mbrojtura, GJK rrëzon kërkesën e opozitës

21:50, 31/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e opozitës për shfuqizimin e ligjit për “Zonat e Mbrojtura”. Ky ligj, sipas argumenteve të opozitës, do t’i hapë rrugë ndërtimit të kullave dhe betonizimit të zonave të mbrojtura. Gjykata Kushtetuese pretendon se ligji nuk shkel Marrëveshjen e Asocim-Stabilizimit, ndërsa deputetja Ina Zhupa që bëri padinë paralajmëroi se këtë vendim të Kushtetueses opozita do ta çojë në Strasburg.

Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e opozitës për shfuqizimin e ligjit për “Zonat e Mbrojtura”, duke lënë në fuqi ligjin kontravers të hartuar nga qeveria, që i hap rrugë ndërtimit të hoteleve luksoze dhe kullave në zonat e mbrojtura. Deputetët e PD, të përfaqësuar nga deputetja Ina Zhupa, ankimuan në Kushtetuese ligjin me pretendimin se cenon sigurinë juridike, barazinë para ligjit, parimet e shtetit të së drejtës, i hap rrugë betonizimit, shkel Marrëveshjen e MSA-së, dhe nuk është bërë konsultim publik. Jo vetëm opozita, por ligji për zonat e mbrojtura është kritikuar masivisht edhe nga aktivistët mjedisorë me pretendimin se ai synon dëmtimin e pasurisë kombëtare. Por megjithëse pretendimeve të palës ankimuese dhe shumë problemeve që ka në vetvete ky ligj, i cili ndonëse nisi si nismë e ligjvënësve, pati ndërhyrje nga Këshilli i Ministrave për t’i shtuar një sërë amendamentesh, për Gjykatën Kushtetuese nuk ka shkelje të procedurës së konsultimeve publike apo të Konventës së Aarhusit gjatë miratimit të këtij ligji.

Këtë, kryetarja e Kushtetueses, Holta Zacaj, e argumenton me faktin se për aq kohë sa nisma ka ardhur me propozim nga Kuvendi dhe jo nga qeveria, nuk e detyron atë të bëjë konsultime me publikun, duke ligjëruar kështu metodën e përdorur nga maxhoranca socialiste që i hap rrugë liberalizimit të aksesit të qeverisë brenda zonave të mbrojtura natyrore. Po kështu, në vendimin e saj, Kushtetuesja thotë se nuk është shkelur Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit, ndonëse vetë hartuesit dhe përfaqësuesit e MSA-së kanë kritikuar ashpër publikisht ligjin që cenon integritetin e pasurive natyrore.

Gjykata, gjatë shqyrtimit të kritereve paraprake, vlerësoi njëzëri se pretendimet për lirinë e kërkimit shkencor dhe të sigurisë juridike në lidhje me komunitetin janë pretendime të reja, të paraqitura pas çeljes së shqyrtimit gjyqësor, për rrjedhojë ato nuk mund të merren në shqyrtim. Kurse për sa u përket pretendimeve për cenimin e parimit të barazisë përpara ligjit, parimeve të shtetit të së drejtës dhe të hierarkisë së akteve normative, Gjykata vlerësoi njëzëri se kërkuesi nuk ka sjellë argumente kushtetuese në mbështetje të tyre. Për sa i përket pretendimit për papajtueshmërinë e ligjit me MSA-në, qëndrimet e gjyqtarëve u ndanë, për rrjedhojë, për sa kohë nuk u arrit numri i kërkuar prej 5 gjyqtarësh për vendimmarrje, ky pretendim konsiderohet i rrëzuar.

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë vlerësuar njëzëri se kërkuesi nuk kishte sjellë argumente kushtetuese për të mbështetur pretendimet se ligji cenonte barazinë përpara ligjit, parimet e shtetit të së drejtës dhe hierarkinë e akteve normative. Qëndrimet e gjyqtarëve u ndanë më pas në shqyrtimin e pikave të tjera, pa bërë një shumicë prej 5 anëtarësh. Pas vendimit reagoi edhe deputetja e PD Ina Zhupa, e cila deklaroi se kjo është një dredhi e Gjykatës Kushtetuese për të larë duart nga shkatërrimi që pret zonat e mbrojtura në Shqipëri. Ajo paralajmëroi se do ta çojë çështjen në Strasburg.

“Në Strasburg për mbrojtjen e vendit! Nga sot nuk kemi më zona të mbrojtura! Ndarja 4 me 4, ku 4 gjyqtarët pranojnë që ka shkelje kushtetuese dhe 4 gjyqtarë mendojnë se nuk ka, çon në rrëzimin e kërkesës edhe pse nuk ndajnë dot nëse është apo jo antikushtetues. Kjo barazi është përdorur dhe në raste të tjera si dredhi për të vendosur pa vendosur, për të ruajtur status quo-në e qeverisë duke bërë sehir. Kjo praktikë dënohet nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Është fatkeqësi për vendin që lënë në fuqi një ligj antikushtetues dhe dështim për Gjykatën Kushtetuese. Turpi i ngelet gjykatës, ne rrëzohemi pa u rrëzuar me dredhi që nuk respektojnë as standardet europiane.”

Projektligji për zonat e mbrojtura u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë në shkurt të vitit 2024, duke i hapur rrugën ndërtimit të hoteleve luksoze dhe infrastrukturës së tyre mbështetëse në zonat e mbrojtura. Mazhoranca socialiste e miratoi në mënyrë të njëanshme ligjin, pavarësisht kundërshtimit të organizatave mjedisore dhe delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco