Me dorëheqjen e imponuar nga kryeministri dhe emërimin e 4 nënkryetarëve të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama ka konfirmuar marrjen e drejtimit të këtij institucioni në shkelje të rëndë të ligjit dhe kushtetutës.
Jo vetëm shkelje e pavarësisë dhe autonomisë së pushtetit vendor, por edhe procedura e emërimit të 4 nënkryetarëve të rinj është bërë në shkelje të rëndë të ligjit dhe kushtetutës.
Emërimi i nënkryetarëve Ilir Mëngra,Gentian Keri, Blendi Sula dhe Vasilika Vjero është firmosur nga nënkryetarja e Anuela Ristani, e cila qëndron në pozicion me firmë të Erion Veliajt që i ka deleguar kompetencat, e cila gjithashtu mund të shkërkohet po me firmë të Veliajt.
Kjo praktike është në shkelje të rëndë, të kushtetutës, Kodit Zgjedhor dhe Ligjit për qeverisjen vendore, pasi këtë kompetencë e ka vetëm kryebashkiaku që zgjidhet me votë nga qytetarët, ndërsa nënkryetarët me koompetenca të deleguara nga kryetari, sipas ligjit për qeverisjen vendore, mund të marrin vetëm vendime administrative, dhe jo konstuitive.
Sipas pikës 3 të nenit 59 të Ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, vetëm kryetari i bashkisë i zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë ka të drejtën të emërojë dhe shkarkojë nënkryetarët.
“NENI 59/ LIGJI NR. 139/2015
Kryetari i bashkisë, në kryerjen e funksioneve dhe ushtrimin e kompetencave të tij, ndihmohet nga një ose më shumë zëvendëskryetarë. Numri i zëvendëskryetarëve caktohet nga kryetari i bashkisë, duke respektuar ligjin për barazinë gjinore. Emërimi dhe shkarkimi i tyre bëhen nga kryetari i bashkisë.”
Këto kompetenca janë të rregulluara edhe nga Rregullorja e Bashkisë së Tiranës, e miratuar bazuar në këtë ligj, dhe në asnjë prej neneve nuk përcaktohet marrja e kompetencave emëruese të kryebashkiakut nga ana e një prej nënkryetarëve. Në nenin 33 të rregullores, përcaktohen qartë kompetencat për nënkryetarët, të cilat qartësisht janë vetëm administrative.
Pra përcaktohet qartë se kjo detyrë është ekzluzivitet I kryetarit të Bashkisë dhe në këtë rast, kjo shkelje e rëndë e Kushtetutës dhe ligjit është i pavlefshëm në rast shqyrtimi administrative nga gjykatat. Por duket se vullneti politik I Edi Ramës prevalon mbi gjithçka, madje edhe mbi Kushtetutën. Mbetet për tu parë deri në fund, nëse shkelja ligjore dhe parodija mund të arrijë në pikën kur Anuela Ristani të firmosë për shkarkimin e vetes.
© SYRI.net