Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deklaroi se mbikëqyrja dhe survejimi i gjyqtarëve nga punonjës të BKH-së dhe SPAK-ut e bën të pamundur që gjyqtarët të jenë të paanshëm. Në një reagim në rrjetet sociale, Meta solli si shembull opinionin e Komisionit të Venecias për këtë çështje, duke thënë se sot gjyqtarët ndodhen në një situatë absurde.
Presidenti i Partisë së Lirisë reagoi mbi shqetësimin e shprehur nga avokati i liderit të opozitës, Sali Berisha, Genc Gjokutaj, i cili u shpreh se gjyqtarët e GJKKO-së nuk mund të jenë të paanshëm sa kohë që janë të mbikëqyrur, të përgjuar dhe të survejuar nga punonjës anonimë të BKH-së dhe SPAK-ut. Meta thekson se mijëra shqiptarë nuk marrin dot drejtësi nga gjykatat tona, për shkak se gjyqtarët janë nën mbikëqyrje të përhershme.
Lidhur me qëndrimin e sotëm të avokatëve të Prof. Dr. Sali Berishës, Meta shprehet se asnjë gjyqtar nuk mund të jetë i paanshëm kur është në mënyrë të përhershme i mbikëqyrur, i përgjuar dhe i survejuar nga punonjës anonimë të BKH-së, si në asnjë vend tjetër të Këshillit të Europës dhe në kundërshtim me vetë rekomandimet e Komisionit të Venecias. “Po publikoj sot këtë pjesë të parashtruar që tregon situatën absurde në të cilën ndodhen sot gjyqtarët në Shqipëri,” shkruan Meta.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale nga qelia, Meta solli në vëmendje parashtrimet e avokatit të tij para Gjykatës Kushtetuese, të mbështetura në opinionin e Komisionit të Venecias, ku theksohet qartë se “shqyrtimi i telekomunikimeve të një gjyqtari, dhe veçanërisht të familjarëve të tij, çon në një kufizim të panevojshëm të së drejtës për privatësi”.
Komisioni i Venecias, në opinionin e tij nr. 824/2015 “Mbi projekt-ndryshimet e rishikuara kushtetuese për gjyqësorin”, të datës 15 janar 2016, shprehu dyshime serioze në lidhje me këtë sistem të mbikëqyrjes së përhershme të gjyqtarëve. Ndërsa rishikimi i llogarive financiare është një mjet specifik dhe efektiv për monitorimin e pasurive dhe të ardhurave që duhet të deklarohen nga një gjyqtar, kryerja e një “shqyrtimi të telekomunikimeve” të tij dhe veçanërisht të familjarëve, në mungesë të garancive të duhura, përbën një kufizim të panevojshëm të së drejtës për privatësi.
Më tej, në parashtrimin e paraqitur nga avokati i Metës para Gjykatës Kushtetuese thuhet se, kur është prokuroria ajo që monitoron çdo moment të jetës profesionale të gjyqtarëve, nuk ekziston asnjë garanci në këtë sistem që SPAK-u të mos përgjojë apo regjistrojë edhe diskutimet mes gjyqtarëve dhe ndihmësve të tyre, qoftë edhe me mjete elektronike. Sipas avokatit, ky sistem mbikëqyrjeje institucionalizon një presion të vazhdueshëm nga një degë tjetër e pushtetit.
© SYRI.net