Aktivisti Andi Tepelena ka reaguar ndaj aksionit të fundit të qeverisë për mbrojtjen e hapësirave publike, duke e cilësuar atë si hipokrizi dhe propagandë të pastër. Në një intervistë për Syri TV me moderatorin Edcvin Parruca, Tepelena tha se ky aksion është i pabesueshëm dhe i motivuar nga interesa të tjera të fshehta.
“Aksioni për mbrojtjen e hapësirave publike nga kryeministri Rama tingëllon shumë hipokrit, sepse në aktivitet e dimë prej vitesh, jemi përballur me këtë fenomen të uzurpimit të hapësirave publike nga vetë Rama, nga vetë shteti,” tha ai.
Sipas Tepelenës, prej vitesh Tirana po vuan nga mungesa e hapësirave publike për shkak të betonizimit masiv dhe ndërtimit të kullave në çdo hapësirë të lirë, përfshirë edhe ato të gjelbra. Ai shtoi se në kryeqytet janë dhënë leje për mbi 4 milionë metër katror ndërtim dhe se pjesa dërrmuese janë kulla, 136 gjithsej, të cilat sipas tij janë ndërtuar pa transparencë për publikun.
“Kjo tregon qartë se Ramës i intereson të bëjë një show në Theth apo zona të tjera, ndërkohë që fsheh marrëzinë që po ndodh në Tiranë,” theksoi ai.
Duke komentuar ndërhyrjen në Theth, Tepelena u shpreh kundër prishjes së banesave të banorëve autoktonë. “Aty flasim për banorë që banojnë në trojet e tyre prej qindra vitesh. Është e drejta e tyre natyrore që të kenë mundësi për të zhvilluar pronën e tyre,” tha ai.
Ai paralajmëroi se Shqipëria po shpopullohet për shkak të pamundësisë që qytetarët të vendosin vetë për pronat e tyre dhe theksoi se ndërhyrja në mes të sezonit turistik në Theth, pa konsultim me pushtetin lokal, është një shkelje e rëndë.
“Sot duket sikur nuk ekziston fare pushteti lokal, çdo gjë vendoset nga Rama me dorë të hekurt, ndërsa institucionet që kanë të drejtën e vendimmarrjes për zhvillimin lokal po dalin jashtë loje,” përfundoi Tepelena.
Tepelena:
Aksioni për mbrojtjen e hapësirave publike nga kryeministri Rama tingëllon shumë hipokrite, sepse në aktivitet e dimë prej vitesh, jemi përballur me këtë fenomen të uzurpimit të hapësirave publike nga vetë Rama, nga vetë shteti.
Prej vitesh Tirana po vuan nga mungesa e hapësirave publike, nga betonimi pa limit i të gjithë sipërfaqeve edhe të gjelbra, fushave sportive e të tjera, e në vend të tyre ngrihen kulla.
Ky aksioni i Ramës duket shumë i pabesueshëm për ne që kemi të gjithë të drejtën morale të besojmë që pas kësaj ka një diçka tjetër që ndodh, një hall të madh.
Fakti që vetëm në Tiranë janë dhënë leje mbi 4 milionë metër katror për ndërtime dhe pjesa më e madhe e tyre janë kulla, 136 kulla, dhe pjesa më e madhe e tyre nuk janë bërë as transparente për publikun.
Kjo tregon qartë se Ramës i intereson të bëjë një show në Theth apo zona të tjera ndërkohë të fshehë të gjithë këtë marrëzi që po ndodh në kryeqytetin shqiptar.
Për sa i përket Thethit unë jam katërcipërisht kundër këtij aksioni sepse e para e punës aty flasim për banorë të cilët banojnë në trojet e tyre prej qindra vitesh, dhe është e drejta e tyre natyrore që të kenë mundësi për të zhvilluar pronën e tyre.
Shqipëria po shpopullohet sepse nuk ka mundësi që të vijë në eficencë pronën e tyre.
Ndërhyrja në mes të sezonit në Theth, pa u konsultuar më parë edhe me pushtetin lokal, se po shohim se ka një uzurpim të kompetencave të pushtetit lokal pra, duket sikur nuk ekziston fare pushteti lokal, çdo gjë vendoset nga Rama me dorë të hekurt dhe po dalin jashtë loje të gjithë institucionet që kanë të drejtën e vendimmarrjes sa i përket zhvillimit lokal.
© SYRI.net