SYRI TV
Bashkia e Tiranës është kujtuar 6 vjet pas tërmetit tragjik të 2019 që të shpenzojë rreth 650 mijë euro të tjera për të kryer akt-ekspertiza të thelluara për ndërtesa të ndryshme të kryeqytetit. Procedurat janë shpallur së fundit dhe projektet do të mbyllen në 2026, duke zgjatur sërish kohën dhe rrezikuar qytetarët.
Gjashtë vjet pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019, Bashkia e Tiranës ka vendosur të shpenzojë rreth 650 mijë euro të tjera për të kryer akt-ekspertiza të thelluara për riaftësimin e ndërtesave në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Procedurat janë shpallur së fundmi në Regjistrin e Parashikimeve të Agjencisë së Prokurimit Publik dhe pritet që të zhvillohen në fund të vitit 2025. Hartimi i projekteve, në rastin më të mirë pritet të përmbyllet në pranverën e vitit 2026, ndërsa zbatimi, pra aftësimi i godinave të dëmtuara mund të shtrihet më gjatë në kohë.
Fatmirësisht, toka është treguar bujare me qytetarët e Tiranës, pasi nuk ka rezervuar dridhje të ngjashme me atë të vitit 2019. Pasi, në të kundërt, me ritmet që ka ndjekur dhe po ndjek qeveria dhe Bashkia e kryeqytetit për forcimin e ndërtesave të dëmtuara, një tërmet i ngjashëm mund të shoqërohej me pasoja gati katastrofike për jetën dhe pasurinë e tyre.
Menjëherë pas tërmetit të nëntorit 2019, qeveria e kryeministrit Edi Rama shpalli gjendjen e emergjencës, e cila i lejonte strukturave shtetërore që të kryenin procedura prokurimi emergjente, duke anashkaluar rregullat normale të tenderave.
Ai akt është ende në fuqi, pasi për qeverinë shqiptare Shqipëria është ende në fazën e emergjencës nga tërmeti i 6 viteve të mëparshme.
Ekspertë të prokurimeve publike kanë ngritur shpesh shqetësimin se mbajtja në fuqi e një akti emergjence për një kohë të gjatë është një mjet që mund të përdoret abuzivisht në procedurat miliona euro të Rindërtimit.
Sipas aktit normativ të Emergjencës së Tërmetit, tenderat që lidhen me Rindërtimin zhvillohen në mënyrë të mbyllur, pa një garë reale dhe me një grusht kompanish, kryesisht të lidhura me pushtetin.
Procedurat e tenderave emergjentë, për shkak të natyrës së tyre, nuk lejojnë ankimet e operatorëve që mund të kenë pretendime për favorizime të subjekte të ndryshme nga ana e institucioneve shtetërore.
Deri më tani, vetëm një pjesë fare minimale e banorëve kanë arritur të përfitojnë apartamente të reja në kuadër të Rindërtimit. Shumica absolute e qytetarëve të dëmtuar vijojnë të jetojnë në shtëpi me qira, të paguar nga shteti. Vonesat e pajustifikuara të rindërtimit kanë shtuar ndjeshëm kostot në Buxhetin e Shtetit, i cili, për shkak të apatisë shtetërore, ende nuk ka sistemuar qytetarët në godinat e reja dhe është i detyruar që të paguajë qiratë e tyre mujore.
Në zonat më të goditura nga tërmeti, në Durrës, Krujë, Tiranë e Kurbin, godinat e premtuara rregullisht nga kryeministri Rama, ende nuk u janë dhënë familjeve të dëmtuara.
Në prezantime me format e spektaklit, kreu i qeverisë ka shpërndarë ka shpërndarë personalisht çelësa apartamentesh. Por, dëshmi të shumta kanë treguar se përfituesit janë detyruar të kthejnë çelësat pas show-t të kryeministrit.
© SYRI.net