SYRI TV/ Edi Rama mohon: Nuk ju premtova legalizim, do shembim çdo objekt në Theth

13:53, 14/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

 

 

Kryeministri Edi Rama iu kundërpërgjigj sërish sot banorëve të Thethit, duke justifikuar aksionin që rrafshoi të gjitha investimet e banorëve të zonës.

Ndërsa banorët e akuzuan se ishte vetë ai që para zgjedhjeve u premtoi legalizim, madje edhe faljen e gjobave, sot Rama mohoi vetveten, duke pohuar se nuk ua ka premtuar legalizimet për ndërtimet pa leje, por vetëm për kullat e trashëguara nga gjyshërit.

Por para zgjedhjeve, kryeministri, para banorëve të Thethit, u premtoi pikërisht faljen e gjobave për ndërtimet, madje justifikoi edhe arsyet se përse ata nuk kishin mundësi të merrnin leje.

“Kur kemi shkuar dhe premtuar për të gjitha shtëpitë e vjetra në Theth, që ishte problemi kryesor i atyre banorëve, e kemi përmbyllur atë proces me rreth 300 legalizime që ata disponojnë. Pra, premtimi ynë ka qenë: do të legalizojmë pronën e gjyshërve. Premtimi nuk ka qenë dhe s’e kemi bërë kurrë në asnjë nivel, në asnjë cep të Shqipërisë – na jepni votën ju dhe ndërtoni pa leje.”

Por jo vetëm kundërpërgjigje ndaj banorëve, Kryeministri Edi Rama sot ka ndërmarrë një akt të paprecedentë, duke sulmuar Kishën dhe famullitarin e Shkodrës, Dom Vlash Palaj, i cili kishte kërkuar dialog për situatën e krijuar në Theth dhe ndaljen e ndëshkimit të qytetarëve të zonës.

“Ka edhe një teori tjetër që e kishte nxjerrë në pah edhe një prift, çuditërisht dje, dhe u habita se si një njeri i Zotit kishte hyrë në këtë histori, duke folur për joshje e rrena, dhe më pas i premë në besë. Ne s’kemi prerë në besë askënd.”

Por nuk mbaron me kaq. Përveç aksionit për ndërtime pa leje, Rama njoftoi edhe nisjen e një kontrolli të rreptë për sigurinë ushqimore.

Në vend që shqetësimi të përqendrohet tek pesticidet e pakontrolluara dhe produktet e importit, kryeministri e vendosi theksin tek fermerët e thjeshtë dhe qytetarët që mbajnë bagëti për të siguruar mbijetesën.

“Nga sot, ka filluar procesi i kontrollit dhe konfiskimit të qumështit dhe bulmetit pa faturë. Domethënë, pasiguri ushqimore. Qumësht dhe bulmet i freskët pa faturë, mish i freskët pa faturë, do sekuestrohet. Ky është vetëm fillimi i një kontrolli të rreptë për sigurinë ushqimore.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco