Ngërçi politik në Kosovë/ Haxhiu: Opozita po pengon konstituimin e Kuvendit, po mohon vendimin e GJK për votimin e fshehtë

10:12, 14/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

E ftuar në emisionin "Kafe Shqeto", Albulena Haxhiu, Ministre në detyrë e Drejtësisë e Kosovës, shprehu shqetësimin e saj mbi ngërçin politik që po e paralizon Kuvendin e Kosovës.

Ajo theksoi se, megjithë shpresat e përsëritura për reflektimin e deputetëve të opozitës dhe pjesëmarrjen e tyre në votime, qëndrimet e tyre ende nuk kanë ndryshuar. Sipas Haxhiut, ky ngërç ka ndikuar në vonimin e konstituimit të Kuvendit dhe ka penguar përparimin e institucioneve demokratike.

Ajo gjithashtu i referohet aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka konfirmuar se votimi i fshehtë nuk është shkelje e Kushtetutës, duke vënë në pah se opozita vazhdon të këmbëngulë për të kundërshtuar këtë vendim, pavarësisht argumenteve të tjera ligjore.

Pjesë nga intervista:

Sa herë kemi shkuar në Kuvend, kemi pasur shpresën se deputetët e opozitës do të reflektojnë dhe do të marrin pjesë në votim, por qëndrimet e tyre fatkeqësisht ende nuk kanë ndryshuar. Megjithatë, shpresa vazhdon të jetë tek ne dhe natyrisht që presim që gjatë javës të konsitohet Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Ne nuk jemi në politikë për ta dashur njëri-tjetrin, jemi sepse i përkasim subjekteve dhe ideologjive të ndryshme politike. Dy prej arsyeve pse opozita nuk e jep mbështetje për mua janë konfliktuoze dhe përçarëse. Unë e sqaroj që kam 10 vjet deputete në Kuvendin e Kosovës dhe gjatë këtyre viteve jemi përballur me situata të rënda, sepse ka pasur gjithmonë përpjekje nga ish-qeveritë për të realizuar marrëveshje të dëmshme për vendin. Natyrisht, ka qenë e nevojshme rezistenca jonë për t'i parandaluar ato marrëveshje.

Ne vazhdimisht kemi qenë në përballje dhe është e pakuptimtë që tani të presim nga një deputet i opozitës që të jetë një figurë korrekte në raport me veprimet që ata kanë bërë në të kaluarën.

Unë jam ballafaquar politikisht për shkak të vendimeve të padrejta të ish-qeverive, kam protestuar, por nuk kam pasur funksion unifikues. Ata nuk mund të bazojnë argumentet e tyre në aktivitetin tim opozitar ose si ministre e Drejtësisë për gati 5 vjet.

Natyrisht, do të kemi ballafaqime, por nëse unë bëhem kryetare e Kuvendit dhe nëse nuk i trajtoj deputetët me paanësi, atëherë ata do të kenë bazë të thonë që jam përçarëse. Është e rëndësishme të kthehemi dhe të reflektojmë, duke marrë parasysh se është shumë e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës të konstituohet, sidomos tani pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ku dhe aktgjykimi i kësaj gjykate ka theksuar se votimi i fshehtë nuk është shkelje e Kushtetutës së Kosovës.

Edhe pse tashmë kemi një aktgjykim nga Gjykata Kushtetuese, opozita vazhdon të këmbëngulë se ka një shkelje të Kushtetutës së Kosovës në votimin e fshehtë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco