Anëtar i kryesisë së Shoqatës së Blegtoreve Prodhues të Qumështit, Dashamir Çela, në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Kafe Shqeto”, ka komentuar gjerësisht mbi situatën aktuale të tregut të qumështit në Shqipëri dhe sfidat që përballen fermerët dhe konsumatorët.
Gjatë bisedës, Çela ka vënë në dukje një nga fenomenet më të përhapura dhe më shqetësuese në treg: tregtimi i qumështit në rrugë, pa kontroll, pa kushte higjieno-sanitare dhe jashtë çdo standardi ligjor apo teknik.
Sipas tij, ky lloj tregtimi nuk dëmton vetëm konsumatorin, që është i pambrojtur ndaj cilësisë së dyshimtë të produkteve, por edhe vetë blegtorin, i cili detyrohet të operojë në një mjedis të pasigurt dhe të pambështetur nga strukturat shtetërore.
Çela thekson se problemi nuk qëndron vetëm tek qumështi që shitet në mënyrë informale në rrugë, por edhe tek produktet e tjera të qumështit që vijnë nga fabrika përpunimi të pakontrolluara, ku përdoren substanca si qumështi pluhur apo vaji i palmës të cilat shtrembërojnë tregun dhe minojnë besimin e konsumatorit.
Ai bën thirrje që ndërhyrjet institucionale dhe reformat në sektor të mos fokusohen vetëm tek ndëshkimi i fermerit të thjeshtë që shet në rrugë, por të nisin që nga zinxhiri i sipërm: nga përpunuesit, fabrikat dhe deri tek importuesit e lëndëve të dyshimta, me qëllim që tregu të jetë i drejtë, i sigurt dhe në dobi të konsumatorit shqiptar.
Pjesë nga deklarata:
"Konsumatori është kthyer në 2025 drejt tregut që merr qumësht në rrugë.
Qumështi në rrugë nuk është i mirë as për konsumatorin, sepse është i pakontrolluar e duhen marrë disa masa, duhet bërë diçka për ata tregtarë që e shesin kështu qumështin me bidona që edhe ata ta shesin, se duhet të ushqehen.
Nuk është vetëm qumështi i fshatrave, është dhe qumështi pluhur i pakontrolluar, është edhe vaji i palmës dhe disa nënprodukte të tjera.
Problemi qëndron që edhe fshatari nuk mund ta shesë qumështin në temperaturë 40 gradë e duhet ta kemi të qartë edhe ne, edhe qeveria, edhe konsumatori që blegtaria kështu nuk fillohet.
Kjo gjë është në dëm të konsumatorit dhe blegtorëve që merren me këtë punë, e problemi është se nisma a do merret vetëm për fshatarin që e shet në rrugë, apo do shkojë si ndihmë edhe më lart, te fabrika e përpunimit të qumështit, që ta shohin ku vete qumështi pluhur apo vaji i palmës, sepse këtu hyjnë qumështi pluhur dhe vaji i palmës, sikur kemi industri të rëndë qumështi.
Këtë gjë duhet ta shohë qeveria, ta nisë që nga atje e deri tek fabrikat, jo të penalizojë vetëm fshatarin e shkretë.
Nëse duam të bëjmë reformë të qumështit apo blegtarisë, duhet ta reformojmë atë që të vijë te konsumatori një qumësht sa më i mirë. Fillimisht masat duhen marrë edhe me problemet e tjera, pasi fabrikat e përpunimit të qumështit duhen kontrolluar.
Nuk duhet lënë aksioni vetëm me qumështin e fshatarit, ka dhe të tjera rreziqe që vijnë nga qumështi i fabrikës që përpunuesit tanë ofrojnë, dhe konsumatori absolutisht nuk ka pse ta humbasë besimin te produktet e certifikuara".
© SYRI.net