Operacioni I IKMT-së dhe policisë për shembjen e bujtinave në Theth ka bërë që në kulmin e sezonit, turistët të largohen nga perla e alpeve shqiptare. Tashmë fshati piktoresk është pushtuar nga fadromat dhe është kthyer në gërmadhë.
Aksioni i IKMT-së në Theth ka vijuar edhe këtë të shtunë, në ditën e pestë të tij. Pas ngjarjeve të një dite më parë, gjatë aksionit të kësaj të shtune, numri i forcave të policisë në terren është më i madh, ndërkohë që gjatë aksionit është rritur edhe perimetri i sigurisë i vendosur nga uniformat blu.
SYRI TV
I vendosur në zemër të Alpeve Shqiptare dhe i vlerësuar për bukuritë e rralla, fshati malor i Thethit prej vitesh ka zënë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar. Por sot, situata në këtë zonë është krejt ndryshe. Vendi është pushtuar nga fadromat e IKMT-se dhe forca të shumta policie, duke ngjarë me një arenë lufte dhe jo më një atraksion turistik. Sic shihet edhe nga pamjet, perla e turizmit malor shqiptar tashme është kthyer në një gërmadhë.
Ata turistë të huaj që kishin zgjedhur të kalonin pushimet në Theth, tashmë janë larguar, disa sepse ngelën jashtë për shkak të shëmbjes së strukturave akomoduese, e shumë të tjerë të cilët nuk duan të kalojnë pushimet mes fadromave që shembin bujtina apo forcave policore që kërcënojnë banorët me armë në dorë. E natyrisht këta turistë kanë marr me vete përshtypjet dhe pamjet e dhunshme që po ndodhin këto ditë në Theth, në kulmin e turizmit në vend. Duket e pamundur që ata të rikthehen më në këtë vend.
Ndërkohë akoma edhe më të dëmtuar, janë vet ata të cilët vendosën të investonin në këtë zonë, banorët e fshatit, të cilët i besuan fjalëve të kryeministrit Rama gjatë fushatës zgjedhore. Pamja që të ofron sot Thethi është e kundërta e asaj që jemi mësuar ta shohim gjithmonë. Hapësirave të gjelbërta dhe natyrës së qetë e të freskët, ia kanë zënë vendin gërmadhat e lëna pas dhe zhurma e fadromave të IKMT-së, që nuk patën mëshirë të prisnin të paktën fundin e sezonin turistik veror.
Aksioni ka vijuar edhe këtë të shtunë, në ditën e pestë të tij, me prani të shtuar të forcave të rendit, marr shkak edhe nga ngjarjet e ndodhura një ditë më parë. Ka nga ata banorë që tentojnë të rezistojnë akoma, në mbrojtje të pronave të tyre, por sërish fundi tashmë dihet dhe është i njëjtë; fuqia e pushtetit dhe e fadromave të tij dominojnë, ndërkohë që godinat shemben në tokë
© SYRI.net