Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj ka njoftuar sot pezullimin e inspektorëve të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit (AKU), vetëm pak javë pasi kryeministri Edi Rama kërkoi pezullimin urgjent të veprimtarisë së këtij institucioni.
Denaj bëri të ditur se do të ngrihet një Komision me 5 anëtarë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, i cili do të ketë për detyrë të vlerësojë me shkrim dhe me gojë inspektorët aktualë të AKU-së, por edhe aplikantët e rinj për punë në këtë agjenci.
Ky hap vjen në mes të një vale kritikash për keqfunksionimin e AKU-së, e cila prej vitesh është akuzuar për paaftësi, korrupsion dhe abuzim me pushtetin ndaj bizneseve. Për shumë analistë dhe zëra kritikë, përfshirë opozitën, situata po shihet si e pabesueshme dhe qesharake, duke pasur parasysh që pas 12 vitesh në pushtet, mazhoranca nuk ka arritur të kthejë AKU-në në një strukturë serioze të kontrollit ushqimor.
Ironia përfshihet edhe në përzgjedhjen e institucionit që do të ndërmarrë reformën: Universiteti Bujqësor i Tiranës, një institucion që vetë është përballur me akuza për korrupsion dhe ku rektori, sipas kritikëve, është shfaqur si “qen i rrahur” në dëshminë e tij para Grupit Parlamentar të PS-së.
Nga një strukturë e akuzuar si “çerdhe e të paaftëve, patronazhistëve dhe banditëve të Rilindjes”, AKU-ja rrezikon të kalojë thjesht nga një krizë në një farsë reformimi. Pavarësisht nismës së re, dyshimet mbeten të forta nëse me profesorë “të tredhur” para Ramës do mund të ndërtohet një institucion që garanton vërtet sigurinë ushqimore.
© SYRI.net