'Shkelje e autonomisë vendore'/ Mëlyshi: Performanca e stafit matet nga ne, jo nga urdhrat e kryeministrit

'Shkelje e autonomisë vendore'/ Mëlyshi: Performanca e stafit matet nga ne, jo nga urdhrat e kryeministrit

10:26, 12/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një takim me kryetarët e bashkive, kryeministri Edi Rama kërkoi nga drejtuesit vendorë që të shkarkojnë të gjithë drejtuesit e njësive administrative në vend. Sipas tij, ky ishte një hap i nevojshëm për të rritur performancën e administratës dhe për të përmirësuar shërbimet për qytetarët.

Megjithatë, kjo thirrje nuk është pritur mirë nga disa kryetarë të bashkive, të cilët e konsiderojnë atë si ndërhyrje të pastër politike dhe cenim të autonomisë vendore. Një ndër zërat më të qartë në këtë drejtim ishte kryetari i Bashkisë së Mirditës, Albert Mëlyshi. Në një intervistë për Klan News, ai deklaroi se një urdhër i tillë është i pazbatueshëm dhe jashtë kompetencave të kryeministrit.

Që në fillim të fjalës sime e përmenda që është një shkelje e autonomisë vendore. Është vetë institucioni që merr iniciativa për të matur performancën e punonjësve të saj, administratorëve, drejtorëve dhe stafit. Unë personalisht jam duke bërë analizën time sa i përket stafit. Aty ku shoh mangësi, marr hapat e duhura. Aty ku performohet mirë, do të vazhdojnë në detyrë”, u shpreh Mëlyshi.

Ai theksoi se urdhrat e kryeministrit nuk kanë ndikim në bashkinë që ai drejton dhe se vendimmarrja bëhet në bazë të një procesi të brendshëm dhe profesional. Kryetari i Bashkisë së Mirditës bëri të ditur gjithashtu se kryetarët e djathtë të bashkive kanë një qasje të koordinuar dhe marrin vendime konsensuale për pjesëmarrjen në takime të tilla.

Duhet të jemi bashkëpunues, por edhe të zëshëm për të mbrojtur interesat e qytetarëve që përfaqësojmë. Qëndrimet tona nuk mund të jenë politike, por institucionale dhe në shërbim të komunitetit”, theksoi Mëlyshi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco