Agron Haxhimali, ekspert i pushtetit vendor ka ngritur alarmin për situatën alarmante me ndërtimet pa leje në zonën e Thethit, duke akuzuar si pushtetin vendor, ashtu edhe atë qendror për dështim të thellë në administrimin e territorit.
Në një intervistë për News 24, Haxhimali theksoi se ndërhyrjet e kryeministrit në kompetencat e pushtetit vendor janë të papranueshme, ndërsa e akuzoi administratën lokale për paaftësi dhe politizim.
“Toka në Theth nuk ekziston as në Kadastër, por është përgjegjësi e shtetit që nuk e ka bërë Kadastrën. Sa kohë institucionet flenë gjumë, të tolerojnë, i paguan, i korrupton për interesa elektorale, kjo situatë do jetë,” deklaroi Haxhimali, duke përmendur shembuj të ngjashëm kaosi urban edhe në zona të tjera si Tirana, Saranda apo Veriu e Jugu i vendit.
Ai u shpreh se vendosja e një ndalese të qartë për ndërtimet në zona të mbrojtura është domosdoshmëri, ndërsa e cilësoi pushtetin vendor si “zgjatim të PS-së”, gjë që përbën, sipas tij, shkelje të Kushtetutës që e përcakton këtë nivel si autoritet të drejtpërdrejtë.
“Do e vlerësoja kryeministrin, nëse do largonte kryebashkiakët, se ata e kanë administrimin lokal,” shtoi ai, duke vënë theksin tek mungesa e llogaridhënies së drejtuesve vendorë dhe lidhjet e tyre të ngushta me politikën qendrore.
© SYRI.net