Marrëveshja e sigurimeve shoqërore Shqipëri-Itali hyn në fuqi: Ja si ndryshojnë procedurat për aplikimet për pension

Marrëveshja e sigurimeve shoqërore Shqipëri-Itali hyn në fuqi: Ja si ndryshojnë procedurat për aplikimet për pension

22:11, 11/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Instituti i Sigurimeve Shoqërore në Itali (INPS) ka njoftuar se duke nisur nga 1 korriku 2025 kanë hyrë në fuqi dispozitat e Marrëveshjes dypalëshe për sigurimet shoqërore ndërmjet Republikës Italiane dhe Republikës së Shqipërisë, së bashku me Rregullimin Administrativ përkatës. Vendimi është bërë zyrtar me publikimin e Vendimit Nr. 2211, datë 10 korrik 2025.

Ky zhvillim vjen pas nënshkrimit të marrëveshjes më 6 shkurt 2024 në Romë dhe ratifikimit të saj me Ligjin Nr. 29 të datës 11 mars 2025. Marrëveshja përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në garantimin e të drejtave të punëtorëve dhe pensionistëve në të dy vendet, duke sjellë një kuadër të ri bashkëpunimi për trajtimin e pensioneve ndërkufitare.

Sipas udhëzimeve të reja:

• Shtetasit italianë që jetojnë në Shqipëri duhet të aplikojnë për pension ekskluzivisht në mënyrë dixhitale, qoftë sipas marrëveshjes italo-shqiptare apo sipas sistemit kombëtar/autonom shqiptar.

Aplikimet do të trajtohen nga zyra territoriale e INPS-it kompetente, bazuar në vendbanimin e aplikantit ose në punëdhënësin e fundit (në rastet e punonjësve publikë).

• Shtetasit shqiptarë që jetojnë në Itali duhet të dorëzojnë kërkesat për pension përmes Institutit të Sigurimeve Shoqërore Shqiptare (ISSH), i cili më pas i përcjell dokumentet në Zyrën Provinciale të INPS në Perugia, qendër e specializuar për trajtimin e këtyre çështjeve.

Një aspekt thelbësor ka të bëjë me dokumentacionin: për të gjitha periudhat e sigurimit të përfunduara në Shqipëri para vitit 2012, aplikantët duhet të bashkëngjisin “Deklaratën e Historikut të Punësimit”, si dhe çdo dokument shtesë që vërteton të dhënat e punësimit. Njëkohësisht, kërkohet edhe kopja e dokumentit të identitetit shqiptar, për të lehtësuar verifikimin nga autoritetet shqiptare.

Këto rregulla, të përcaktuara edhe në Qarkoren Nr. 106 të vitit 2025, synojnë thjeshtimin e procedurave, rritjen e transparencës dhe një mbrojtje më efikase të të drejtave të pensionistëve, duke e bërë administrimin më të sigurt dhe më të qëndrueshëm për të gjithë shtetasit përfitues në të dy vendet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco