'Problemet janë të shkruara në raporte, korrupsioni sfidë'/ Hapi portën e ambasadës në ‘90, Werner Daum flet për rrugën evropiane të Shqipërisë

21:16, 11/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Werner Daum, një nga figurat më të rëndësishme të diplomacisë gjermane dhe një prej personaliteteve më të respektuara në marrëdhëniet Shqipëri–Gjermani, ka dhënë një intervistë ekskluzive për Syri TV në intervistën e mbrëmjes me gazetaren Armela Ferko.

Daum ka shërbyer si ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë gjatë periudhës vendimtare të vitit 1990, kur mijëra shqiptarë hynë në ambasadat e huaja për të shpëtuar nga diktatura. Ai njihet për rolin e tij historik në hapjen e portave të ambasadës gjermane në korrik 1990 – një akt guximtar që i dha zemër shqiptarëve në kërkim të lirisë dhe u kthye në simbol të shpresës së re.

Në këtë intervistë të rrallë, diplomati i lartë gjerman thekson mbështetjen e fortë që Gjermania ka për Shqipërinë dhe rrugën e saj drejt integrimit europian. “Shqipëria është anëtare e NATO-s, që është një hap drejt mbërritjes tek komuniteti perëndimor. Shqipëria është shumë e mirëpritur si pjesë e familjes evropiane, në bashkim me vende të tjera të rajonit,” deklaroi Daum.

Ai vuri theksin edhe te sfidat që vazhdojnë të mbeten përpara: korrupsioni, shteti ligjor dhe varfëria. “Këto probleme që ju i shpjeguat qartë, janë të evidentuara në raportet që ne si Gjermani i përgatisim dhe i dërgojmë edhe në Bashkimin Europian. Ato duhet të marrin përgjigjet e duhura,” tha ai.

I pyetur për korrupsionin, Daum u shpreh se është një plagë e thellë që vështirë se çrrënjoset, sidomos në vendet e varfra. Megjithatë, ai theksoi se ndryshimi varet nga vetë shqiptarët: “Familjet, miqtë varen prej jush… Ne po ia kërkojmë këtë Shqipërisë dhe e presim që shqiptarët, qeveria, opozita, të bëjnë pjesën e tyre.

Në përfundim, Daum theksoi se partnerët ndërkombëtarë do të vijojnë të mbështesin Shqipërinë në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, por theksoi se zgjidhja e këtyre problemeve duhet të vijë nga brenda: “Ne nuk duam të imponojmë një regjim kolonial,” u shpreh ish-ambasadori që mbetet një zë i rëndësishëm dhe i sinqertë në mbështetje të rrugës europiane të Shqipërisë.

Daum:

Shqipëria është anëtare e NATO-s që është një hap drejt mbërritjes tek komuniteti perëndimor, Shqipëria është shumë e mirëpritur si pjesë e familjes evropiane në bashkim me vende të tjera të rajonit.
Sigurisht që kaq probleme që ju i shpjeguat qartë, ato janë të shpjeguara në raporte që ne si Gjermani i shkruajmë, të cilat i dërgojmë edhe BE-së, dhe këto probleme duhet të marrin përgjigjet e duhura.

Ju përmendët konkretisht problemin e korrupsionit, korrupsioni është i vështirë të çrrënjoset, është edhe më i vështirë sidomos në ato vende që janë ende të varfra.
Familjet, miqtë, varen prej jush, kur ju keni arritur një pozitë, kështu që është e qartë se ne kërkojmë diçka që ne vetë kemi marrë prej qindra vitesh dhe ne po ia kërkojmë këtë Shqipërisë dhe e presim që shqiptarët, partia që aktualisht po qeveris, opozita, dhe padyshim gjërat do të ndryshojnë në të ardhmen dhe do të jetë e kundërta.
Ne po u kërkojmë palëve të bëjnë përpjekje serioze në këtë fushë dhe sigurisht që ne do të vazhdojmë të mbështesim luftën kundër trafikut të drogës, kundër pastrimit të parave. Të gjitha këto janë çështje me shumë rëndësi të cilat në fund mund të zgjidhen vetëm prej shqiptarëve, ne nuk duam të imponojmë një regjim kolonial.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco