Monitorimi i territorit do të kryhet për mes teknologjisë. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në takimin e zhvilluar me krerët e bashkive, ku në fokus ishin ndërtimet dhe zaptimi i hapësirave publike.
Kreu i qeverisë shpjegoi se të gjitha kompanitë e ndërtimit do të detyrohen të vendosin kamera në kantiere për të mos shkelur lejet, teksa paralajmëroi dhe një qendër për monitorimin e tyre, e ngjashme me atë të trafikut.
Vetë Rama e reklamoi fuqishëm, atëherë kur u firmosen marrëveshjet, praninë e satelitëve që do të monitoronin terrenin. Ata do të kontrollonin territorin edhe për mbjelljen e hashashit por edhe për ndërtimet pa leje. Por me çfarë po dëgjojmë siç duket nuk kanë funksionuar siç duhet pasi vendi qenka mbushur me ndërtime pa leje sipas kreut të rilindjes që ka nisur fadromat në Shkodër, Korçë e Vlorë. Pra një tjetër skandal i madh me satelitët që zbulohet ditën me diell, me para që u paguan nga buxheti i shtetit por që nuk sollën asnjë lloj ndihmë në objektivat për të cilët ato ishin reklamuar se do bënin kërdinë. Hashash me bollëk gjithandej. E ndërtime pa leje me shumicë gjithandej. Pra satelitet nuk punuan asnjë ditë. Shpjegimi është i qartë. I mashtroi para zgjedhjeve edhe duke u marrë para se i duheshin për votat, e tani po u prish gjithçka.
“Nuk mund të mbetemi vetëm te sytë e njerëzve në territor, po i bëjmë gjërat bashkë për të pasur një kontroll teknologjik në territor. Siç ka nisur punën qendra e kontrollit të trafikut dhe do bëhet teknologjike me projektin e ri me EBA. Inspektimi i territorit për ndërtimet duhet të mbështetët nga një fuqi teknologjike, nga satelitët, dronët”, tha Rama.
Pra duhen edhe ca para të tjera nga buxheti se këto të parat që u dhanë për satelitët e parë që do të “mbronin” tokën shqiptare nuk kanë funksionuar fare. Vjedhja e parë do të mbulohet me një vjedhje tjetër ndoshta edhe më të madhe se e para.

© SYRI.net