Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervis Salianji, i cili vuajti një dënim politik prej 9 muajsh në burgun e Fierit, ka folur për herë të parë pas rikthimit në liri. I ftuar në emisionin “Çim Peka Live” në Syri TV, Salianji ka rrëfyer përjetimet e tij brenda qelisë dhe mënyrën se si e ka kaluar ditën në kushte izolimi.
“Orët janë të gjata, i pamësuar, pa diskutim. Nuk ka njeri që është mësuar me burgun,” tha ai, duke nënvizuar se periudha e vuajtjes së dënimit ka qenë një përvojë jo e lehtë.
Sipas tij, izolimi ka ndikuar negativisht për shkak të jetës aktive që ai kishte jashtë, me takime të vazhdueshme dhe angazhime politike e publike. “Izolimi për mua ka qenë i dëmshëm, se ju e dini që unë kam pasur jetë shumë aktive jashtë,” u shpreh Salianji.
Ish-deputeti tha se ka shfrytëzuar kohën në burg për të lexuar, për të shkruar dhe për të mbajtur shënime që, sipas tij, nuk janë bërë ende publike nga dosja gjyqësore. Ai shtoi se këto të dhëna do të shërbejnë për të dokumentuar “farsën gjyqësore” dhe për t’u lënë gjurmë në histori të gjithë atyre që kanë marrë vendimmarrje në këtë çështje.
“Që në një të ardhme të afërt, kur Partia Demokratike të jetë në pushtet, por edhe gjatë gjithë kohës, ata të kenë një damkë turpi në shkelje të ligjit,” theksoi ai.
Gjatë qëndrimit në burg, Salianji tha se i është rikthyer disa aktiviteteve që nuk i praktikonte prej vitesh, si futbolli dhe palestra. Gjithashtu, ka ndjekur zhvillimet në media përmes televizorit, i cili lejohet deri në madhësinë 32 polsh në institucionet e vuajtjes së dënimit.
“Kjo ka qenë dita në përgjithësi, më kanë vizituar gazetarë e kolegë të Partisë Demokratike. ,” përmbylli Salianji rrëfimin e tij.
Salianji :
Orët janë të gjata, i pamësuar, pa diskutim.
Nuk ka njeri që është mësuar me burgun.
Izolimi për mua ka qenë i dëmshëm, se ju e dini që unë kam pasur jetë shumë aktive jashtë, takime, aktivitet publik, aktivitet politik, etj. etj.
Kam bërë një organizim të kohës duke lexuar, duke shkruar, duke mbajtur shënim edhe elemente që nuk janë bërë publikë nga dosja, për ta bërë të plotë të gjithë këtë farsë gjyqësore, por edhe për ta lënë të shkruar në histori për të gjithë këta persona të cilët kanë marrë vendimmarrje, që në një të ardhme të afërt, kur Partia Demokratike të jetë në pushtet, por edhe gjatë gjithë kohës, të kenë një damkë turpi në shkelje të ligjit.
Pastaj i jam kthyer disa aktiviteteve që nuk i bëja prej vitesh si futbolli dhe palestra, dhe kështu kanë ikur kryesisht këto ditë.
Kam ndjekur edhe mediat, pasi në institucionet e dënimit lejohen edhe televizorë deri në 32 polsh.
Kjo ka qenë dita në përgjithësi.
Më kanë vizituar gazetarë e kolegë të Partisë Demokratike.
© SYRI.net