‘Eksodi do të sjellë rrëzimin e regjimit’/ Një ambasador si ‘kavalier i vetmuar’ kundër komunizmit

‘Eksodi do të sjellë rrëzimin e regjimit’/ Një ambasador si ‘kavalier i vetmuar’ kundër komunizmit

20:26, 10/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Qyteti i Kavajës përkujtoi sot Josif Budon, heroin e demokracisë, me një shtatore të ngritur në mes të qytetit.

I pranishëm në aktivitetin e organizuar nga kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja ishte i pranishëm kreu i opozitës shqiptare, Sali Berisha dhe ish-ambasadori gjerman në Tiranë, Werner Daum.

Po kush është ish-diplomati i vlerësuar disa herë për qëndrimin e mbajtur ndaj regjimit komunist?

Berisha jo pak herë në fjalimet e tij ka theksuar se Daum ishte ndër të paktët ambasadorë perëndimorë, që nuk donte që Shqipëria të mbetej një ‘ishull’ i izoluar komunist në Europë.

Disa herë, Berisha ka theksuar se Daum nuk e pranonte që vendi ynë të ishte një Kubë e Adriatikut, siç përflitej në atë kohë.

Edhe sot, Berisha tha se Daum ishte një ‘kavalier i vetmuar’ në përpjekjet e tij për të shpëtuar Shqipërinë nga komunizmi.

Në fakt, roli i Daum në rrëzimin e regjimit komunist mbetet shumë i rëndësishëm.

Ai kishte inkurajuar grupet antikomuniste në Shkodër, Kavajë etj për të intensifikuar lëvizjen e tyre.

Sipas revistës Spiegel, ai kishte inkurajuar shqiptarët që të kapërcenin muret e ambasadave.

Kur kjo ndodhi më 2 korrik të vitit 1990, ambasadori e pa si një mundësi të artë.

"Ishte e qartë për mua se një eksod masiv do të çonte në rrëzimin e regjimit", tha Werner Daum për median gjermane.

Ishte pikërisht Daum i cili ndezi shpejt dritat e projektorëve dhe hapi portat.

Për Werner Daum, ambasadorin e parë të Gjermanisë Perëndimore në Shqipëri, hapja e dyerve të ambasadës së tij ishte vetëm në plan të dytë një akt humanitar. "Para së gjithash, isha i bindur se një katastrofë e tillë e paimagjinueshme në qendër të kryeqytetit do të çonte në përmbysjen e qeverisë", tha Daum për Deutsche Welle.

Por regjimi komunist nuk ishte mposhtur ende. Ambasadat që strehonin refugjatët ishin nën një presion të madh.

"Ishte e tmerrshme. Pas disa ditësh, uji ynë u ndërpre. Ne e transportuam nga apartamentet përballë në ambasadë me kova, në mënyrë që të gjithë të mund të pinin të paktën një gotë. Pastaj furnizimi me ushqim u ndërpre. Tashmë kishte një revolucion në rrugë dhe disa pjesë të popullsisë u siguruan që të merrnim të paktën pak bukë", kujton Daum.

Por u desh pak kohë dhe vëmendja ndërkombëtare dhe presioni perëndimor u kthye më në fund mbi Shqipërinë.

‘Kuba e Adriatikut’ do mbetej vetëm një iluzion dhe për këtë gjë, shqiptarët i detyrohen edhe ambasadorit gjerman.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco