Deputeti më i ri i Partisë Socialiste, Ceno Klosi, pritet të përballet me pasoja ligjore pasi ka kryer shkelje të rënda gjatë kohës që drejtonte Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Mbetjeve (AKUM).
Gjatë auditit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, është konstatuar se Ceno Klosi ka favorizuar investitorin strategjik, kompaninë “Gjikuria”, duke lejuar zbatimin e punimeve publike të impiantit në Dhërmi pa leje ndërtimi.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportin e kryer pranë AKUM-it, evidentoi se kompania “Gjikuria”, e cila fitoi në vitin 2020 tenderin me fond limit 3.5 milionë euro, ka kryer punimet pa leje ndërtimi. “Rezulton se punimet kanë nisur dhe kanë përfunduar nga operatori ekonomik ‘Gjikuria’ pa disponuar deri në fund lejen përkatëse të ndërtimit, veprime këto në kundërshtim me ligjin nr. 107/2014 ‘Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit’,” thuhet në raport.
Sipas të dhënave zyrtare, “Gjikuria” kishte aplikuar dy herë pranë Agjencisë së Zhvillimit të Territorit për leje ndërtimi në qershor dhe gusht 2020, por kërkesat u refuzuan për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm. Megjithatë, pavarësisht refuzimit, kompania vijoi dhe përfundoi punimet pa leje përkatëse.
KLSH thekson se “veprimet dhe mosveprimet e mësipërme janë në kundërshtim edhe me parashikimet e ligjit nr. 8402, datë 10.09.1998 ‘Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit’”.
Sipas audituesve, përgjegjësia bie fillimisht mbi ish-drejtorin Alqi Bllako, por sidomos mbi pasuesin e tij, Ceno Klosi, i cili kishte rolin më të gjatë gjatë zbatimit të projektit për impiantin e ujërave të zeza në Dhërmi. Tenderi me fond 355.8 milionë lekë të reja u shpall në maj 2020, gjatë periudhës së izolimit për shkak të pandemisë COVID‑19. Fitues u shpall kompania “Gjikuria” me ofertë 346.1 milionë lekë të reja. Një tjetër kompani kishte ofruar rreth 400,000 euro më të ulët, por u skualifikua para nënshkrimit të kontratës.
© SYRI.net