Edi Rama shton terrorin ndaj qytetarëve. Pas presionit ndaj biznesit të vogël me shembje e bllokime biznesi, se shfrytëzonin hapësirë publike, sot Policia e Shtetit paralajmëron 3 vite burg për këdo që do të parkojë dysh në rrugë.
Në linjë me Ramën dhe Partinë Socialiste, sot Proda njoftoi shkrirjen e Policisë së Shkodrës, edhe pse faktohet se kishin vepruar në Theth, por ishte Edi Rama ai që i mashtroi me faljen e gjobave të Policisë.
Kryeministri Edi Rama nuk ndal terrorin ndaj qytetarëve. Një vit nga emërimi, pa dalë asnjëherë në komunikim me mediat, sot duket se nevoja ka qenë edhe më e madhe që Edi Rama të nxirrte në deklaratë për herë të parë, kreun e Policisë së Shtetit për të kërcënuar me 3 vite burg çdo qytetar që do të parkojë gabim në rrugë.
Në deklaratën e sotme për mediat, Proda konfirmoi veprimet e Policisë së Shtetit si zgjatim i Partisë Socialiste, ndërsa ligji i garanton veprimin si një strukturë e pavarur dhe e pandikuar nga urdhrat politikë. Pasi dërgoi fadromat për të rrafshuar Thethin, shkarkoi plotësisht disa bashki të vendit, mori rolin e gjyqtarit dhe KLP-së për të goditur një prokurore në Shkodër, sot edhe Policia e Shtetit konfirmoi veprimet sipas orekseve politike të Edi Ramës, duke shkrirë të gjithë Policinë e Thethit, shkarkuar Drejtorin e Policisë së Shkodrës Fatmir Lleshaj dhe shefin e komisariatit Nik Nikolla, sepse nuk ndërhynë më herët në Theth.
Ndërsa sot Ilir Proda shkarkon kupolën e Policisë së Shkodrës për Thethin, ato ndërtime janë ligjëruar nga vetë Edi Rama dhe Benet Beci, që jo vetëm i kanë promovuar publikisht herë pas here me pamje, por ka qenë vetë kryeministri që u ka premtuar se do t’ua falte edhe gjobat që mund të kishin marrë nga Policia dhe IKMT, por kjo para zgjedhjeve.
© SYRI.net