SYRI TV/ Lirimi hapësirave, bizneset në protestë: Na detyrojnë të nxjerrim në rrugë punëtorët

13:46, 10/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Dhjetëra biznese, kryesisht bar-kafe në zonën e Rrugës së Kavajës në kryeqytet, kanë mbyllur lokalet e tyre në shenjë proteste kundër vendimit të qeverisë për lirimin e hapësirave publike.

Përfaqësues të bizneseve kundërshtojnë një vendim të tillë, pasi, siç shprehen, shkakton humbje të mëdha ekonomike dhe lë pa punë qindra njerëz. Ata shprehen se do të përshkallëzojnë protestën e tyre dhe të premten do të dalin para Kryeministrisë. Ndërkohë, fadroma e IMT ka ndërhyrë në zonën e njohur si “Piazza”, pasi vetë pronarët e bizneseve refuzuan vendimin e qeverisë.

Bizneset në Tiranë kanë reaguar pas urdhrit të Edi Ramës për heqjen e hapësirave publike ndaj bizneseve të tyre. Bizneset, në shenjë proteste, kanë mbyllur lokalet dhe baret dhe kanë deklaruar se do të përshkallëzojnë protestat e tyre, duke u shprehur se nesër do të jenë para Kryeministrisë. Bizneset i kërkojnë kryeministrit dhe institucioneve përkatëse që të marrin masa, të vijnë të ulen dhe të bisedojnë me ta dhe të mos marrin masa ekstreme pa u konsultuar. Ata shprehen se këto biznese në zonën e Rrugës së Kavajës kanë të punësuar mbi 600 persona, dhe nëse ato goditen nga shteti në mënyrë arbitrare, duke hequr hapësira publike, shumë nga punonjësit do të dalin pa punë. Madje theksojnë se për hapësirën që kanë zënë, paguajnë çdo vit taksa.

Protesta e bizneseve në kryeqytet vjen pas atyre në Vlorë dhe ngjarjeve të një dite më parë në Theth, ku banorë dhe biznese kundërshtojnë operacionin e IKMT "Tokë e Xanun", të cilin e cilësojnë si të padrejtë dhe në dëm të qytetarëve.

Ndërkohë, kundër vendimit të qeverisë kanë dalë edhe pronarët e bizneseve në zonën mbrapa Muzeut Historik, e njohur si “Piaca”. Ata nuk kanë pranuar të lirojnë hapësirat në mënyrë vullnetare, por kanë qenë fadromat e IMT që kanë ndërhyrë, duke shkatërruar gjithçka.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco