Një familje nga Jemeni ka mbërritur në Theth për të kaluar disa ditë pushimi në natyrën e mrekullueshme të Alpeve shqiptare, por në vend të mikpritjes, e ka pritur një shkatërrim. Një shkatërrim i porositur nga kryeministri i vendit në mes të sezonit turistik.
Akomodimi që kishte rezervuar dhe paguar paraprakisht familja nga Jemeni ishte shembur nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), në kuadër të 'fushatës' së ndërmarrë së fundmi nga qeveria “Rama” për prishjen e ndërtimeve pa leje.
“Kam ardhur nga Jemeni për të pushuar me familjen time, por... Ku të shkoj unë tani? Kjo nuk është gjë e mirë për vendin tuaj”, tha turisti, i tronditur nga ajo që e priti në vend të pritjes turistike.
Ndërtesa ishte pjesë e një liste objektesh të cilat, sipas pretendimit të qeverisë, janë ndërtuar pa leje në zonat e mbrojtura ose jashtë kritereve ligjore. Megjithatë, banorët vendas dhe operatorë turistikë e quajnë këtë fushatë “absurde” dhe të dëmshme për komunitetin dhe ekonominë lokale, që jeton kryesisht nga turizmi veror.
Rasti i turistit nga Jemeni ka nxjerrë në pah kaosin informativ dhe mungesën e koordinimit: objekti figuron ende aktiv në platformat ndërkombëtare të rezervimeve, ndërsa në realitet është vetëm një grumbull rrënojash.
© SYRI.net