SYRI TV/ Urdhri i Ramës prek dhe shitësit ambulantë - Tregtarët e Kurbinit në protestë: Shitja, e vetmja e ardhur për të mbijetuar!

14:27, 09/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Dhjetëra shitës ambulantë kanë protestuar para Bashkisë Kurbin kundër një urdhri për largimin e tyre nga rrugët ku siguronin jetesën. Banorët denoncuan sjelljen arrogante të Policisë Bashkiake ndaj tyre, ndërsa theksuan se urdhri i Kryeministrit dhe i Bashkisë po i lë në mëshirë të fatit. Tregtarët kërkuan nga Bashkia përcaktimin e një vendi të caktuar ku mund të ushtrojnë aktivitetin e tyre. Në të kundërt, paralajmëruan se nuk do të tërhiqen dhe do të dalin sërish në rrugë për të mbajtur familjet.

Syri TV

Urdhri i Kryeministrit Edi Rama për lirimin e hapësirave publike nuk ka kursyer as shitësit ambulantë. Këtë të mërkurë, dhjetëra tregtarë dhe banorë të Kurbinit janë mbledhur në protestë përpara Bashkisë, duke kundërshtuar largimin e tyre nga rrugët ku ushtrojnë aktivitetin tregtar. Sipas protestuesve, një ditë më parë janë përballur me kërcënime nga Policia Bashkiake, e cila u ka kërkuar të largojnë mallrat dhe të lirojnë hapësirat publike.

Banorët e Kurbinit shprehen se ky është burimi i vetëm i të ardhurave për mbijetesë dhe se Bashkia po i nxjerr në rrugë pa asnjë alternativë. Ata i bënë thirrje Kryetares së Bashkisë, Majlinda Cara, që të ndërhyjë duke u caktuar një vend të përshtatshëm për të ushtruar aktivitetin e tyre tregtar.

Nga ana tjetër, Bashkia Kurbin, përmes Kryeinspektorit të IVMT-së, Jetmir Mzhika, thotë se ka në plan ndërtimin e një tregu të ri, por nuk ka dhënë asnjë afat konkret për nisjen e investimit dhe asnjë zgjidhje të përkohshme për shitësit ambulantë.

Banorët paralajmëruan se, nëse nuk marrin një zgjidhje, do të vijojnë aktivitetin e tyre tregtar në rrugë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco