Pasi Edi Rama urdhëroi fadromat të shkojnë të prishin bujtinat në Theth në mënyrë arbitrare dhe pa një vendim gjykate, banorët e zonës kanë kërcënuar me mbylljen e dyerve të bizneseve në mes të sezonit veror, gjë që do ta kthente situatën në kaos.
Ndërhyrja brutale e Ramës në mes të sezonit turistik tregon qartë se sa punon kjo qeveri për biznesin që merret me turizmin, ku përherë aksionet me fadroma në zonat malore dhe ato bregdetare bëhen pikërisht në mes të sëzonit veror.
Më poshtë peticioni i banorëve të Thethit:
KËRKESË – PETICION
Drejtuar:
Bashkisë Shkodër
Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë
Ministrit të Pushtetit Vendor
Institucioneve të tjera përkatëse
Kërkesë për dialog urgjent me përfaqësues të komunitetit të Thethit lidhur me veprimet e fundit të IKMT-së në pronat private
Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore,
Ne, banorët e fshatit Theth, në Njësinë Administrative Shalë, Bashkia Shkodër, të shqetësuar thellësisht nga zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në territorin tonë, ku Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka ndërhyrë duke shembur ndërtesa në prona private të banorëve, ju drejtohemi me këtë peticion për të kërkuar:
1. Pezullimin e menjëhershëm të ndërhyrjeve të mëtejshme nga IKMT në territorin e Thethit, derisa të zhvillohet një proces transparent dhe i drejtë verifikimi.
2. Organizimin e një tryeze urgjente dialogu në vetë zonën e Thethit, me praninë e përfaqësuesve të Bashkisë Shkodër, përfaqësues të Qeverisë, përfaqësues të Ministrisë së Pushtetit Vendor, përfaqësues të IKMT-së dhe përfaqësues të komunitetit vendor.
Ne nuk jemi kundër shtetit ligjor, përkundrazi, kërkojmë zbatimin e ligjit në mënyrë të drejtë dhe të barabartë për të gjithë. Por mënyra si është vepruar, pa një komunikim paraprak me komunitetin, pa transparencë dhe në kulmin e sezonit turistik, përbën jo vetëm një goditje ekonomike për dhjetëra familje që mbajnë gjallë jetën në këtë zonë të thellë malore, por edhe një padrejtësi e thellë institucionale që cenon dinjitetin tonë si qytetarë.
Në rast të mungesës së reagimit institucional brenda një afati të arsyeshëm, ne si komunitet rezervojmë të drejtën për të marrë masa ekstreme, përfshirë mbylljen e dyerve të bujtinave dhe pezullimin e ofrimit të shërbimeve për turistët, si formë proteste dhe mbrojtjeje të të drejtave tona, derisa të kemi një përgjigje dhe zgjidhje konkrete nga institucionet përkatëse.
Në pritje të një përgjigjeje të shpejtë dhe serioze nga ana juaj,
Me respekt,

© SYRI.net