Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Marash Logu, i ftuar në emisionin Task Force, ka deklaruar se rasti i dënimit të deputetit Ervin Salianji është një nga dëshmitë më flagrante të kapjes politike të drejtësisë nga qeveria.
Logu shprehet se, denoncimi i Salianjit, që çoi në burg vëllain e ish-ministrit të Brendshëm të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge, nuk u trajtua si një akt në shërbim të interesit publik, por si një "krim" ndaj pushtetit.
Ai thekson se procesi gjyqësor ndaj Salianjit, mënyra si u zhvillua dhe kohëzgjatja e qëllimshme e tij, tregojnë se kemi të bëjmë me një çështje tërësisht politike, të manipuluar nga lart dhe të drejtuar për të frikësuar çdo zë opozitar që guxon të denoncojë lidhjet e krimit me qeverinë.
Pjesë nga intervista:
E vërteta është që denoncimi që bëri Salianji çoi në burg vëllain e ministrit të Brendshëm, i cili ishte dënuar për trafik ndërkombëtar droge si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe prej shumë vitesh jetonte i lirë në Vlorë. Madje, ishte bërë edhe biznesmen dhe kishte të dhëna që ushtronte trafikun e lëndëve narkotike.
Kjo ishte ajo që bëri Ervin Salianji dhe në çdo vend dhe shoqëri demokratike quhet një shërbim që i bëhet publikut, një angazhim që kishte ai si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Mënyra se si rrodhi procesi ndaj tij ku nga akuzues dhe denoncues u bë i denoncuari dhe i kallëzuari, për të përfunduar tek i dënuari tregon një kontroll total dhe absolut që Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj patën ndaj sistemit të drejtësisë, duke përfshirë Prokurorinë e Tiranës, Gjykatën e Shkallës së Parë, Gjykatën e Apelit dhe më pas Gjykatën e Lartë.
Pra, sistemi i drejtësisë në të gjitha nivelet e tij nuk arriti të prodhojë më shumë sesa tekat dhe dëshirat që kishin Rama dhe Xhafaj për të dënuar Salianjin, sepse kishte guxuar të prekte vëllain e ministrit të Brendshëm, i cili në atë kohë ishte në detyrë.
Edhe sot mbetet e paqartë për opinionin publik, për ata që ndjekin politikën, se si mund të përfundojë në burg një person i cili denoncon kushdo qoftë ai aq më tepër një politikan që e ka pjesë të detyrës të denoncojë një trafikant ndërkombëtar droge, sepse ai i ishte shmangur drejtësisë.
Me këtë praktikë që u vendos në këtë rast, kushdo që denoncon, ngre zërin, akuzon, kallëzon, mund të gjendet papritur nga denoncues në të denoncuar, nga kallëzues në i kallëzuar, nga një denoncues i një trafikanti droge duke përfunduar vetë në burg dhe duke qëndruar 10 muaj në burg si Salianji.
Vendimi i ditës së sotme tregon se kjo ka qenë, fillim e mbarim, një çështje politike. Salianji e ka përmbushur kushtin ligjor në maj për t’u liruar, por në maj ishin zgjedhjet dhe nuk mund të lirohej ai dhe nuk mund t’i jepej kjo lloj plusi PD-së para zgjedhjeve, prandaj duhej të shtyhej dhe të zvarritej një proces gjyqësor i pakuptimtë. Rastet e kriminelëve mbarojnë me një seancë; për Salianjin u shty me tre seanca.
Ata e liruan tani me qëllim, sepse jemi në periudhë vere, kur zhvillimet nuk kanë vëmendjen e madhe, që të kalojë disi pa marrë gjithë vëmendjen e nevojshme që duhet të merrte ky rast. Më duket një rast i orkestruar deri në detajin e fundit.
© SYRI.net