Edi Rama vijon turneun veror me regji propagandistike: pas Vlorës, zbarkon në Fier ku kërkon – si gjithmonë me urdhër – shkarkimin e të gjithë drejtorëve të bashkisë. Arsyeja zyrtare? Lirimi i hapësirave publike. Arsyeja reale? Konsolidimi i pushtetit përmes lojës me karriget e militantëve lokalë.
Kjo nuk është reformë, por riformatim klientelist. E njëjta skemë që për 12 vite ka prodhuar vetëm zëvendësim të një “ushtrie drejtorësh” me një tjetër – të re, por po aq të bindur, po aq të paaftë dhe po aq të heshtur ndaj abuzimeve dhe çështë më e rëndësishmja, hajdutët që vijnë janë edhe më të uritur se ata që ikin. Me dorën që emëron e dorën që shkarkon, Rama ka zhbërë çdo kufi mes ekzekutivit qendror dhe pushtetit vendor.
Nën pretekstin e luftës ndaj “zaptimeve”, fshihet një ndërhyrje brutale në administratën lokale që nuk ka si synim shërbimin ndaj qytetarëve, por mbajtjen nën kontroll të çdo hallke pushteti – nga Tirana deri në fshatin më të largët.
Spektakli i radhës është po aq i njohur sa i zbuluar: fasada të reja për kamerat, ndërsa thelbi i kalbur mbetet i paprekur. Në fund, qytetarët nuk përfitojnë asgjë – përveç rotacionit të zakonshëm të emrave që ndajnë tenderë dhe paguajnë militantë.
© SYRI.net