Teksa landfilli i Sharrës është i tejmbushur me mbetjet dhe inceneratori nuk funksionon, Bashkia e Tiranes vijon pagesat qindra milionë euro të kompanisë koncesionare Integrated Energy bv. E komanduara e Edi Ramës, Anuela Ristani ka paguar 700 mijë euro, për inceneratorin e Sharrës për një shërbim që nuk kryhet duke shpërdoruar taksat e qytetarëve.
Syri TV
Agjencia qeveritare e Pasurive të Sekuestruara, menaxhuese e landfillit dhe inceneratorit inekzistent të Sharrës në Tiranë, ka ngritur prej kohësh alarmin se fusha e mbetjeve është thuajse e ezauruar dhe kërkohet një zgjidhje emergjente, pavarësisht se për këtë vepër publike janë shpenzuar qindra milionë euro. Megjithatë, aty vijojnë të shkojnë mbetje, të cilat shoqërohen me fatura periodike qindra mijëra euro.
Në fund të javës së kaluar, Bashkia e Tiranës, e drejtuar nga Anuela Ristani, kryetarja e komanduar nga Edi Rama pas arrestimit të Erion Veliaj, ka kryer pagesën e radhës për kompaninë koncesionare “Integrated Energy bv”. Të dhënat e Thesarit të Shtetit tregojnë që të enjten e 3 korrikut, bashkia e kryeqytetit ka firmosur faturën në vlerë 760 milionë lekë të vjetra ose rreth 800 mijë euro. Afera korruptive e inceneratorëve jo-funksionale shfaqi pamjen më të rëndë gjatë këtyre ditëve të fundit në Elbasan, ku tymi toksik i krijuar dhe helmet e krijuara nga zjarri në fushën e mbetjeve kanë pushtuar të gjithë qytetin, duke shtuar ndjeshëm rrezikun mbi shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
E njëjta situatë mund të ripërsëritet edhe në Tiranë, në rast se autoritetet shtetërore nuk marrin masat për të gjetur një zgjidhje emergjente për malet e mbeturinave që kanë pushtuar çdo cep në landfillin e Sharrës. Por, për momentin, institucionet publike janë të interesuara vetëm për të kryer periodikisht pagesat qindra mijëra euro çdo muaj, ndërkohë që inceneratori i shumë-premtuar dhe që u paraqit nga kryeministri Edi Rama si e ardhmja e Shqipërisë së pastër, ekziston vetëm në letra. Ndërtimi dhe operimi i landfillit të Tiranës kishte kosto koncesionare në vlerë 128 milionë euro.
Ndërkohë, këtij investimi, i shtohen edhe pagesat periodike që kryejnë disa nga bashkitë e Qarkut të Tiranës, përfshirë kryeqytetin, Kamzën, Vorës, Kavajën, por edhe Bashkinë e Durrësit. Prej nisjes së punimeve për landfillin me koncesion, në vitin 2016, tashmë po mbushet një dekadë dhe impianti i djegies së mbeturinave nuk ka asnjë tullë të vendosur, ndërkohë që taksat e qytetarëve të Tiranës vijojnë të përdoren për shërbimin e incenerimit, i cili thjesht nuk ekziston.
Prokuroria e Posaçme SPAK, e cila prej pesë vitesh po heton në disa çështje aferën korruptive të inceneratorit jo-ekzistues të Sharrës, ende nuk ka arritur të gjejë asnjë përgjegjës për miliardat e hedhura në erë. Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj është i bindur se kokat kryesore të kësaj afere janë kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku ende në detyrë i Bashkisë, Erion Veliaj. Por, ndërkohë që SPAK-u ka arrestuar Veliajn për disa episode që nuk lidhen me aferën e landfillit, prokurorët e posaçëm nuk kanë guxuar më së paku të marrin në pyetje kreun e qeverisë.
© SYRI.net