Nga Ndriçim Kulla/
Mjaft nga filozofët e së drejtës dhe politikës, i referohen faktit se ngandonjëherë duhet të bërtasësh dhe të ulërasësh me të gjithë forcën e zërit dhe të shpirtit, në mënyrë që mendimi yt të dëgjohet dhe të merret në konsideratë. Ndoshta konjukturat gjeopolitike botërore nuk janë të tilla që fati i demokracisë së vendit tonë të vogël të marrë vëmendjen që i takon. Ndoshta ideja e narkodiktaturës që është instaluar në një vend të NATO-s dhe në një vend që po hap shumicën e kapitujve për të hyrë në Evropë, ngjan me një ekzagjerim ose fryrje të problemit dhe gjendjes reale, në sytë e mjaft përfaqësuesve të lartë të Evropës, që shohin të shokuar dhe të habitur provat e shumta e të përditshme si lumë, për vërtetësinë e manipulimit të zgjedhjeve dhe më kryesorja, të zbatimit të të gjithë elementëve thelbësorë që e emërtojnë një vend nga pikëpamja politike dhe ekonomike me termin narkodiktaturë. Po edhe kjo mosdije apo habi evropiane, në dukje e ka një shpjegim. Është pikërisht pasoja e drejtpërdrejtë e propagandës dhe manipulimit të kësaj narkodiktature, që me një fushatë të përhershme ndaj ndërkombëtarëve në Shqipëri dhe në instancat e larta të institucioneve evropiane, ka arritur të kalojë një imazh-makijazhi të vendit tonë dhe demokracisë së tij. Si faktor i dytë është pamundësia e opozitës shqiptare për plot një dekadë, për të ndërkombëtarizuar opinionin e saj me fakte, dokumente e dëshmi të pakontestueshme, siç po e bën tashti Berisha me shumë forcë, mençuri, qartësi dhe qëndrueshmëri. Opozita e dikurshme e Bashës në zgjedhjet e shkuara ka qenë e shitur te narkoshteti ndaj nuk ndërmerrte asnjë aksion denoncimi në qarqet evropiane për vjedhjen dhe pamundësinë e zgjedhjeve të barabarta në këtë vend, duke i lënë fushë të lirë e të hapur regjimit të Ramës dhe propagandës së tij, për ti kaluar zgjedhjet para syve të komisionerëve evropianë, me formulën e neveritshme si " zgjedhje me problematika, por më të mira se të shkuarat". Me korrupsion personal dhe fijet e forta sorosiane në shumë instanca të BE, regjimi çdo herë arrinte t'ia hidhte paq zullumit te tmerrshëm të zgjedhjeve të pamundura, duke i lënë Evropës të shohë vetëm njërën anë të hënës së realitetit shqiptar. Ana tjetër e kësaj hëne ngelej e errët, e padukshme për të. Ndaj themi se sot ka ardhur dita ta bërtasim fort këtë të vërtetë.
Ndaj them se duhet ti japim më shumë zë dhe fuqi të gjithë përpjekjes titanike sensibilizuese që po bën opozita dhe personalisht Sali Berisha në çdo instancë evropiane, që më në fund Evropa ta shohë e ta dëgjojë të gjithë të vërtetën që i kanë fshehur në vite. Ndoshta kjo e vërtetë duhej thënë dhe më parë, ndoshta më fort, por edhe kjo pamundësi e opozitës është pasojë e drejtpërdrejtë e burgosjes politike të liderëve të saj. Me lloj lloj kleçkash juridike e gjyqe politike, për disa vjet ajo u nda e u zvarrit nga diversioni i Edi Ramës dhe miqve të tij të dashur sorosianë përtej oqeanit , duke mos i dhënë dot fuqi zërit të saj denoncues. Konjuktura gjeopolitike në Amerikë, me ardhjen në fuqi të demokratëve, nuk e ndihmoi dot opozitën të dëgjohej, edhe pse ulërinte e bërtiste me plot të drejtë. Makineria e tjetërsimit dhe fshehjes se realitetit, me anë të propagandës gjithnjë e më të fuqishme, përqendrohej të kultivimi i imazhit të liderit global, duke e bërë të pranueshme Shqipërinë para syve të Evropës. Nuk interesohej kush pse opozita e këtij vendi ishte e përndjekur pa prova dhe pa fakte, mjafton që detyrat servile dhe hipokrite të protokollit evropian të zbatoheshin. Mirëpo, trashja e zullumit të pamundësisë së zgjedhjeve të barabarta trashej dhe grupet e kartelet e trafikimit të drogës në Shqipëri, tani arrijnë të emërojnë gjyqtarë e prokurorë, të depërtojnë në të vetmin sektor që mban gjallë ekonominë shqiptare, ndërtimin dhe turizmin, duke arritur që me shkallën e tyre të gjithëndodhjes të zhvlerësojnë edhe vetë euron. A ka fakt më ulëritës për narkoshtetin se ky zhvlerësim faranoik për një ekonomi lilipute si kjo e jona? Po porti më i madh shqiptar i kthyer në vite të tëra port i lirë i trafikimit të një prej karteleve më të mëdhenj në Evropë, a nuk është fakt ulëritës?
Është hera e parë që një opozitë shqiptare më në fund ka fuqinë, vendosmërinë dhe pasionin të flasë me faktet e pafundme të librit të zi të zgjedhjeve, në të gjithë institucionet evropiane. Po njëlloj, është hera e parë që klima e gjykimit të shëndoshë, siç njihet ndryshe efekti Trump në Amerikë, ka filluar të fryjë fuqishëm edhe ne Evropë, në disa shtete rë rëndësishëm. Ndoshta, realiteti që Evropa po njeh për Shqipërinë, mund të bjer ndesh me stadin e avancuar të zgjerimit, në të cilin po përfshihet me të shpejtë vendi ynë, e të cilin populli shqiptar e meriton prej kohësh, për prirjen e tij proverbiale perëndimore. Por pikërisht, për të mos sakrifikuar dhe bërë kurban popullin me pro-evropian të rajonit, Evropa dhe institucionet e saj duhej të bëjnë një mea culpa institucionale, një mea culpa morale dhe politike, duke i dhënë të drejtën që i takon popullit shqiptar, që të zgjedhë i lirë dhe në mundësi të barabarta qeverinë që do. Edhe procesi i zgjerimit evropian nuk i përket qeverive, por popujve, ndaj nuk kemi pse si popull ta ndëshkohemi për qeverinë që kemi. Ne duam të vazhdojmë sa më shpejt në rrugën e çeljes së gjithë grup- kapitujve, por para së gjithash duam që këto zgjedhje të quhen të pavlefshme, në mënyrë të qartë dhe të prerë, pa ekuivok, pa formulat e pakuptimta e të dëmshme me të cilat jemi mësuar gjithë këto vjet. Vullneti i popullit nuk mund të deformohet në një demokraci dhe opozita i ka dhënë Evropës të gjitha faktet ligjore që populli shqiptar meriton zgjedhje të reja, të parakohshme, për të ushtruar më në fund vullnetin etij të lirë. Siç ka treguar historia e të gjithë zgjedhjeve në këto vite, Edi Rama nuk lejon dot zgjedhje të tilla, sepse si kreu i një narkoshteti, e ka të pamundur praktikisht të çlirohet prej bandave, krimit dhe pushtetit të tij. Ndaj, për të mos humbur edhe trenin evropian ku kemi hipur, zgjedhjet e lira duhet të kryhen e të administrohen nga një qeveri teknike jashtë partiake. Ndërsa si kushti i fundit që vullneti i popullit të mos deformohet, është ndryshimi me konsensus sa më të gjerë, i ligjit elektoral, pasi formula e sotme lë vend për një shpërpjesëtim te jashtëzakonshëm në favor të qeverisë.
Evropa ka treguar që shpesh është ngritur nga hiri i vet. OSBE dhe ODIR deri tani me raportet e tyre për zgjedhjet në Shqipëri, kanë vëzhguar drejt , por për fat të keq e kanë zhytur gjithnjë e me shumë në hi popullin shqiptar me rekomandimet që kanë dhënë duke injoruar në fakte ,çdo here, realitetin gjithnjë e më të përkeqësuar. Tanimë kemi arritur fundin, si demokraci, drejtësi, parlamentarizëm e gjithçka,dhe nuk mund të durojmë dot më as formula konjukturale. Mos e sakrifikoni përfundimisht popullin shqiptar për interesat të askujt, ndihmoni për zgjedhjet lira që i takojnë në këtë moment.
Ai gjendet në hi, bëjeni të ngrihet me drejtësinë që i përket e të rimëkëmbët, dhe kështu e sigurt, ai do të jetë anëtari i denjë e fisnik i gjirit tuaj, ashtu siç ka qenë në mjaft periudha të historisë së tij perëndimore.
© SYRI.net