Gjykata e Fierit ka pranuar kërkesën për lirimin me kusht të deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji. Vendimi është marrë këtë të martë, pas shqyrtimit të raportit të Shërbimit të Provës, i cili iu paraqit trupës gjykuese në seancën e sotme.
Më herët, në seancën paraprake ishte depozituar edhe raporti i sjelljes nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Fier, ku vlerësimi për Salianjin rezultonte pozitiv. Avokati i tij, Ledio Braho, kishte kërkuar pranimin e menjëhershëm të lirimit me kusht, duke argumentuar se klienti i tij ka plotësuar të gjitha kushtet ligjore.
Salianji pritet të lërë menjëherë ambientet e burgut në Fier, ku ndodhej prej disa javësh, pas dënimit të formës së prerë për çështjen “Babale”. Ai vetë dhe Partia Demokratike e kanë cilësuar këtë dënim si politik dhe të pabazuar në prova.
© SYRI.net