Ambasadori shqiptar në Austri, Fate Velaj, dyshohet se është përfshirë në një skandal të rëndë diplomatik, pasi mendohet se ka fshehur në ambasadë kunatën e tij, e cila është shpallur në kërkim nga SPAK për dosjen "Toyota Yaris".
Media investigative austriake “FoB” ka hedhur dritë mbi këtë skandal, në të cilin është i përfshirë një nga miqtë e kryeministrit Edi Rama, Fate Velaj, i cili prej kohësh mban postin e ambasadorit të Shqipërisë në Austri.
Eriona Daupaj, ish-agjentja e BKH-së, e cila dyshohet se ishte çelësi për të zbardhur skemën korruptive brenda strukturave të drejtësisë deri në nivelet më të larta, dyshohet se ka shfrytëzuar pozitat e saj për t’u larguar nga Shqipëria sapo ndaj saj u lëshua një urdhër-arrest nga SPAK për dosjen "Toyota Yaris". Pas largimit nga Shqipëria, Eriona Daupaj ka kërkuar ndihmë tek kunati i saj, Fate Velaj, i cili dyshohet se e ka strehuar në ambientet e ambasadës shqiptare në Austri, duke e fshehur nga arrestimi i autoriteteve shqiptare.
Akuzat më serioze lidhen me mbështetjen e tij të mundshme për kunatën e tij, e cila kërkohet ndërkombëtarisht nga agjencia shqiptare antikorrupsion SPAK për pastrim parash në lidhje me skandalin "Toyota Yaris".
Thuhet se Velaj e ka strehuar Eriona Daupajn në ambasadën shqiptare në Vjenë. Ambasada mund të ketë shërbyer si një vend strehimi për të, çka ngre pikëpyetje mbi imunitetin e mundshëm diplomatik dhe rolin e ambasadës në pengimin e veprimeve ligjore. Ky incident ngre shqetësime serioze mbi integritetin e institucioneve diplomatike dhe rolin e tyre të mundshëm në pengimin e drejtësisë. Qeveria shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë mund të thirren për të hetuar çështjen dhe për të ndërmarrë masat e duhura.
Për dosjen "Toyota Yaris", SPAK ka lëshuar disa muaj më parë katër urdhër-arreste, ku përveç Eriona Daupajt, janë lëshuar masa sigurie edhe për ish-kreun e prokurorisë Vlorë, Aurel Zaraka, avokatin Radovan Çela dhe biznesmenin Astrit Vladi. Por, përse është Eriona Daupaj një personazh kyç për hetimet në Shqipëri, dhe a tregon shkrimi i medias austriake se strehimi i saj nga Fate Velaj është bërë me bekimin e shtetit?
Më 20 janar të këtij viti, lideri i opozitës, Sali Berisha, publikoi nga dosja e SPAK një transkript të komunikimeve në platformën SKY ECC, ku dokumentohet ndërhyrja e Taulant Ballës në SPAK për të mos sekuestruar pasuritë e Suel Çelës.
Në këto përgjime, është hetuesja e BKH-së, Eriona Daupaj, që flet me një avokat dhe me Astrit Vladin rreth procedurës së nisur për sekuestrimin e pasurisë së Suel Çelës dhe ndërhyrjes së Ballës te prokurorët. Përgjimet e publikuara nga Berisha janë në posedim të SPAK-ut, por duket se prokurorët kanë devijuar hetimet, duke shmangur ndërhyrjen e Taulant Ballës dhe duke mos hetuar lidhjet e tij me 3.4 milionë eurot e sekuestruara në port, të fshehura në makinat Toyota Yaris.
Ky rast, sipas investigimit të medias austriake, tregon se Fate Velaj po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një problem politik, diplomatik dhe moral edhe për ministren e Jashtme të Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, duke ndikuar negativisht në imazhin e Republikës së Shqipërisë dhe në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.
Në përfundim të investigimit, gazeta austriake shkruan se “Është koha për pasoja politike, ligjore dhe morale.”
© SYRI.net